Haliti: Për faj të Kurtit jemi nën sanksione, s’do të hiqen deri pas zgjedhjeve

Zëvendëskryesuesi i Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, ka fajësuar kryeministrin Kurti për futjen e vendit nën masat e BE-së, të cilat vazhdojnë të jenë në fuqi që nga qershori i vitit të kaluar.

Haliti tha për rtv21 se këto masa nuk do të hiqen deri pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, derisa shtoi se nuk pret ndryshim të qasjes së BE-së me emërimet e reja në krye të institucioneve atje.

“Për fajet e Qeverisë se Kosovës, konkretisht Albin Kurtit, Kosova është në sanksione. Kosova ka humbur shumë projekte që kanë mbetur pa u ekzekutuar në komuna të ndryshme, për të cilat ka dhënë donacione BE-ja… prandaj nuk presim ndryshim të qasjes ndaj Kosovës, por pres nga të emëruarit e rinj në BE një përforcim të angazhimit krahasuar me Borrellin…. Problemi i politikave a ndryshojnë apo jo s’besoj që ndryshojnë, por do të jenë shumë më agresive në drejtim të politikave që duhet bërë Kosova. Nuk pres heqje të masave, ka qasje pozitive nga shtete e veçanta, por sa e di BE-ja s’do t’i heqë masat para se të kryhen zgjedhjet në Kosovë. Pas zgjedhjeve do të shihen formacionet politike në Kosovë, mënyra si do t’i qasemi Marrëveshjes së Brukselit dhe pastaj mund të fillojë procesi i heqjes së masave”, tha Haliti.