Prezantohet projekti revolucionar për digjitalizimin e fiskalizimit në Kosovë

Ministria e Financave prezanton projektin për digjitalizimin e fiskalizimit.

Sot u mbajt ngjarja e lansimit të digjitalizimit të fiskalizimit në Kosovë, ku të pranishëm ishin ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, shefi i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë Nuno Queiros, si dhe drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.

Ministri Murati theksoi rëndësinë e këtij projekti, i cili mundëson kalimin nga arkat fiskale si pajisje harduerike, në arka digjitale (softuerike). Ky ndryshim eliminon problemet me mungesën e opsioneve të arkave, si dhe praktikat grabitqare që cenonin bizneset duke shfrytëzuar pozicionin negociues ndaj tyre.

Falë këtij inovacioni, biznesit do t’i mjaftojë një laptop apo pajisje e mençur (smart phone) me aplikacionin përkatës dhe një printer termik për shtypjen e kuponëve fiskalë. Ndërkaq, qytetarëve u mundësohet verifikimi në kohë reale i transaksioneve për të parë nëse shuma e njëjtë e transaksionit është raportuar nga biznesi edhe në ATK. Ministri Murati ndër të tjera gjithashtu paralajmëroi mundësinë për organizimin e lojërave shpërblyese për qytetarët në të ardhmen, ku do të mbështeten ata qytetarë që janë të rregullt në mbledhjen dhe verifikimin e kuponëve fiskalë duke kontribuuar në formalizimin e ekonomisë.

“Projekti për digjitalizimin e fiskalizimit kontribuon në ndërtimin e një mjedisi biznesor të besueshëm që promovon konkurrencën e drejtë dhe shton besimin e investitorëve. E përgëzoj Qeverinë për këtë hap tejet të rëndësishëm,” deklaroi shefi nga UNDP-ja, Queiros.

Nga ana tjetër, drejtori Murtezaj theksoi se për dallim nga e kaluara kur bizneset të gjitha proceset me ATK-në duhet t'i kryenin manualisht dhe fizikisht, ky sistem i ri mundëson fiskalizimin pa kosto dhe krijon kushte të barabarta për të gjitha bizneset në treg.

Fiskalizimi i digjitalizuar funksionon si një strukturë trekëndëshi, ku në majë qëndron sistemi i fiskalizimit, ndërsa dy pikat tjera janë sistemi i pikave shitëse dhe konsumatorët, të cilët verifikojnë kuponët fiskalë të lëshuar. Me kapacitet për të procesuar deri në 70 milionë kuponë fiskalë në ditë, ky sistem pritet të pilotohet në janar 2025, pasi të finalizohen ndryshimet e nevojshme ligjore.

Kjo nismë shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një mjedisi biznesor të besueshëm, i cili promovon konkurrencën e drejtë duke ndikuar në formalizimin e ekonomisë. /Zëri