Presidentja Osmani kthen për rishqyrtim Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, i cili ishte miratuar më 31 tetor 2024.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” brenda Kuvendit të Kosovës, Presidentja Osmani thekson se arsyet që kanë çuar në kthimin e Ligjit te Kuvendi, kanë të bëjnë me nenin 17, paragrafin 4 të Ligjit të miratuar, i cili pamundëson realizimin e qëllimit të synuar të Ligjit në raport me mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit të konsumatorit.
“Kjo sepse i njëjti cenon mundësinë e zbatimit të obligimeve kushtetuese të institucioneve në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pasi që kufizon aplikimin e masave të tjera, siç mund të ishte kalimi në paketimin më të qëndrueshëm dhe më miqësor për mjedisin”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.
Arsye tjetër që përmendet është se e njëjta dispozitë e kufizon Qeverinë dhe Ministrinë e Mjedisit që të ndërmarrin masa alternative që mund të lejojnë përdorimin e materialeve më të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, siç janë qeset e letrës (eco-friendly) apo materialet tjera të biodegradueshme.
Sipas Presidentes, Ligji bie në kundërshtim me Kushtetutën, nenin 7 dhe nenin 52 (3) të Kushtetutës dhe në anën tjetër krijon kolizion ligjor me ligjin përkatës për mbeturina.
Përveç që është në kundërshtim me Kushtetutën, neni 17 (4) i Ligjit të miratuar është në konflikt me legjislacionin ekzistues, konkretisht Ligjin për Mbeturinat, i cili sipas Presidentes përcakton procedurat dhe masat për menaxhimin e ambalazhit dhe paketimit, përfshirë masat për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike.
“Ky ligj, në nenin 11, paragrafin 2 të tij, e ka mandatuar Qeverinë e Republikës së Kosovës me kompetencë për të nxjerrë akt nënligjor me të cilin përcakton kushtet, procedurat dhe detyrimet për prodhuesit dhe importuesit, duke krijuar mundësinë për të përcaktuar sisteme të tjera për menaxhimin e mbetjeve plastike, përfshirë një sistem të rimbursimit të depozitës”, thuhet në arsyetimin e Presidentes.
Sipas saj, përfshirja e dispozitave të detajuara mbi qeset plastike në një ligj primar, siç është Ligji për mbrojtjen e konsumatorit, krijon disa kufizime praktike dhe strukturore.
“Ligji primar ka një proces më të gjatë dhe më të komplikuar për ndryshimin dhe plotësim, krahasuar me një udhëzim administrativ. Si rezultat, Ligji përkatës për Mbeturina, ka paraparë mundësinë e nxjerrjes së aktit nënligjor, për të siguruar një mekanizëm të përditësimit të rregullave, sa herë që të jetë e nevojshme”, thuhet më tutje në këtë vendim.
Lidhur me kthimin e këtij Ligji në rishqyrtim “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në Kuvendin e Kosovës për të kuptuar edhe se çfarë veprime janë ndërmarrë nga ky institucion pas pranimit të shkresave, si dhe ka kontaktuar zyrtarët e Kuvendit, mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi nuk kemi marrë përgjigje.
Çka parashihte Neni 17, paragrafi 4 i Ligjit që Presidentja ia ktheu Kuvendit?
Neni 17, paragrafi 4 i këtij akti ligjor përcakton kërkesat për reduktimin e qeseve të plastikës, duke vendosur kufizime të qarta për prodhimin, importin dhe tregtimin e tyre. Ai ndalon qartë prodhimin dhe shitjen e qeseve plastike të lehta me dorëza që kanë trashësi nga 0 deri në 25 mikron, për të reduktuar ndikimin mjedisor. Për qeset shumë të lehta pa dorëza, është e lejuar shitja pa tarifë për konsumatorin. Ndërsa qeset plastike të lehta me dorëza, me trashësi nga 25 deri në 50 mikron, duhet të shiten me një çmim minimal prej 0.05 euro, nga i cili një pjesë kalohet në buxhetin e Republikës së Kosovës. Për këto qese, ndalohet përdorimi i logos ose markës tregtare.
Për qeset plastike të trashësisë mbi 50 mikron, nuk kërkohet çmim minimal detyrues dhe përdorimi i logos është i lejuar, ndërsa konsumatorët nuk paguajnë për to. Për qeset biodegraduese të kompostueshme, pa marrë parasysh madhësinë apo trashësinë e tyre, nuk parashikohet çmim minimal detyrues, me kusht që të jenë të certifikuara si materiale biodegraduese. Këto masa synojnë të reduktojnë ndotjen nga qeset plastike dhe të inkurajojnë përdorimin e alternativave më miqësore ndaj mjedisit.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi tani është i obliguar të rishikojë projektligjin dhe të shqyrtojë komentet dhe rekomandimet e Presidentes. Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.
Kjo është hera e parë që presidentja Osmani përdor të drejtën për të kthyer ligje në Kuvend për rishqyrtim gjatë mandatit të saj si presidente. /BetimipërDrejtësi