Rinia e LDK-së dorëzon kallëzim penal ndaj ministrit Peci dhe deputetes Pacolli, kërkohet shkarkimi i ministrit
Forumi i Rinisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori ndaj ministrit të Bujqësisë Faton Peci dhe deputetes Fitore Pacolli.
Kryetari i këtij forumi, Paris Guri, ka thënë se kanë dorëzuar kallëzim penal kundër deputetes Fitore Pacollit dhe ministrit Faton Peci.
Ai tha se Pacolli, përmes lidhjeve të saj të dukshme me ministrin Peci, ia ka ndarë 100 mijë euro vëllait të saj.
“Dhe përveç vëllait të saj, dje u kuptua se ia ka ndarë dhe dajës së saj 100 mijë euro të tjera”, tha Guri.
Sekretari i Forumit Rinor të LDK-së, Egzon Pacolli, ka thënë se është hera e parë nga paslufta që dalin listat me numër të regjistrimit dhe jo me emër e mbiemër.
“I bëjmë thirrje Ministrisë së Bujqësi të mos i postojë rezultatet me numër të regjistrimit të fermerëve, por t’i postojë me emër e mbiemër se kush janë përfituesit e këtyre thirrjeve. Është hera e parë nga pas lufta që dalin listat me numër të regjistrimit dhe jo me emër e mbiemër. Nuk është shpifje kur edhe daja edhe vëllai e kanë pranuar që kanë marrë grante, edhe që deklarohen edhe gratë e Krushës që nuk kanë përfituar”, tha ai. /EO