Greva e aktorëve nga Kosova anulon Festivalin e teatrit shqiptar “Moisiu”
Festivali i teatrit shqiptar “Moisiu”, i paraparë të mbahej nga 20 deri më 27 nëntor, është anuluar për shkak se aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë hyrë në grevë.
Kështu bëri të ditur Ministria e Kulturës së Kosovës përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Me dëshpërim të thellë ju njoftojmë që Festivali i teatrit shqiptar “Moisiu”, i paraparë të mbahej nga 20 deri më 27 Nëntor, do të anulohet për shkak të grevës së aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ne e respektojmë plotësisht të drejtën e organizimit sindikal. Nga Shoqata Sindikale e Aktorëve kemi kërkuar që ta kursejnë Festivalin Moisiu, pasi ai paraqet interes kombëtar dhe përfshin tri shtete. Nuk e kemi gjetur këtë mirëkuptim nga sindikata. Andaj, në konsultim me Tiranën e Shkupin, përkundër përfundimit të të gjitha përgatitjeve programore dhe logjistike, jemi të detyruar të anulojmë festivalin për të cilin u bënë shumë sakrifica që të arrinte në edicionin e tretë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.