Përfundon dëshminë Nezir Çoçaj, u ballafaqua me disa deklarata që pretendohet se i ka dhënë Ferat Shala

Dëshmitari Nezir Çoçaj, i cili ishte i 104-ti me radhë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka përfunduar dëshminë në Hagë. Në pyetjet e trupit gjykues, ai u ballafaqua me disa deklarata të Ferat Shalës, të cilat thuhet se ishin dhënë për Shërbimin e Informativ të Kosovës (SHIK) dhe Kadri Veselin.

“Nuk ka pas, nuk kam dëgjuar asnjëherë”, tha dëshmitari, kur u pyet se a është e saktë të thuhet që Kadri Veseli nuk ka pasur zëvendës gjatë kohës së luftës në detyrën e tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai tha se menjëherë nuk ka qenë i gatshëm që t’i bashkohet SHIK-ut, por që kjo ka ndodhur pas disa takimesh.

Çoçaj theksoi se nuk e di nëse ndonjëherë Shala ka qenë pjesë e Shërbimit të Zbulimit gjatë kohës së luftës dhe se asnjëherë nuk ka marrë urdhra dhe udhëzime nga ai.

“Ferat Shala ka sugjeruar se Kadri Veseli i ka kërkuar atij që ta ndihmojë për të krijuar këto strukturat e Zbulim-Kundërzbulimit në vjeshtën e 1998-së. A keni ndonjë arsye për t’u mos u pajtuar me këtë sugjerim?”, tha gjyqtari Guénaël Mettraux.

Megjithatë, dëshmitari tha se takimi me Shalën ka ndodhur më 2001 dhe jo përpara.

“Ju theksuat vjeshtën e vitit 1998. Ndërsa, unë jam shprehur, kam thënë 2001. Pra, takim me Ferat Shalën ka  ndodhur paslufte”, tha ai.

“Ferat Shala ka thënë gjithashtu që ka filluar që ta ushtrojë detyrën që ta ndihmojë zotëri Veselin për krijimin e strukturës së Zbulim-Kundërzbulimit në janar të 1999-ës. A keni ndonjë arsye për ta kundërshtuar pretendimin e tij”, tha tutje gjyqtari Mettraux.

E dëshmitari tha se nuk e di se çfarë ka thënë Shala, ashtu siç nuk e di pozitën e tij dhe kompetencat që ka mundur t’i ketë në ZKZ.

“Nuk e di se çfarë ka thënë zotëri Shala. Nuk bëhet fjalë për janar të ’99-ës. Atë nuk e di dhe mund ta di zotëri Ferat Shala, por unë po flas për takimin që kam pas me zotin Shala pas lufte më 2001. Nuk e di se çfarë kompetencash ka pas për ZKZ-në, atëherë ka qenë ZKZ. Pra, në janar të ’99-ës kanë qenë strukturat e ZKZ-së dhe nuk ka pas të bëjë fare me SHIK”, tha Çoçaj.

Dëshmitari shtoi se nuk e di se çfarë roli ka pasur gjatë vitit 1998-’99 Ferat Shala. Megjithatë, tha se beson që Ferat Shala ka punuar në organizatën të cilën e drejtonte Veseli.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Fergal Gaynor, dëshmitari tha se në detyrën e tij për mbledhjen e informacioneve, nuk ka intervistuar as zyrtarë e as civilë.  Tha se nuk e ka pasur informacionin se rojet e pyjeve jepnin informata për UÇK-në tek autoritetet serbe.

Çoçajt deklaroi se nuk ka pasur mundësi që Halil Çadraku të tejkalojë hierarkinë dhe të raportojë drejtpërdrejt tek Shtabi i Përgjithshëm.

Pyetje shtesë për dëshmitarin më pas pati edhe prokurorja Vega Iodice.

“Unë nuk mendoj se pas çlirimit ka pas postblloqe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sidomos kur prezent ka qenë KFOR-i gjerman”, u përgjigj dëshmitari në pyetjen e prokurores.

Ky dëshmitar nuk u mor fare në pyetje nga ekipi mbrojtës i Thaçit, Krasniqit dhe Selimit.