“Shteti na mbyti vëllain”, familja Llausha kërkon drejtësi për vdekjen e vëllait të tyre, veteranit të UÇK-së

Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Adem Llausha, ka ndërruar jetë të dielën, deri sa është varrosur sot pas plagëve të marra gjatë aksidentit të 5 nëntorit, ku vetura në të cilën ishte ai është goditur për vdekje nga një veturë e Policisë së Kosovës.

Ademi kishte qëndruar një javë në gjendje kome në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por edhe përkundër përpjekjeve të mjekeve ai nuk arriti të mbijetoj për shkak të plagëve të mëdha të shkaktuara nga goditja e veturës së Policisë.

Familjet e të ndjerit kanë shprehur mllefin ndaj organeve shtetërore që sipas tyre ata nuk janë interesuar fare për jetën e vëllait të tyre tashmë të ndjerë që nga momenti kur ai është goditur e deri në momentin e vdekjes.

“Vëllai jonë Ademi ka qenë veteran i UÇK-së, pasi ishte kthyer nga Gjermania për tu bashkuar luftës së UÇK-së, për të cilën ai kishte kontribuar edhe financiarisht. Ai nuk ka marrë ndihmë nga askush ka punuar si taksist” tregon i emocionuar vëllai i tij Fehmiu.

Ai më tutje rrëfen se në momentin kur vetura e vëllait të tij është goditur nga ai e Policisë, shpejtësia e këtyre të fundit dyshohet se ka qenë rreth 150 kilometra në orë.

Ai më tutje në emocione tregon se për shkak të goditjes së madhe vëllai i tij tashmë i ndjerë është nxjerra disa metra larg veturës së tij të cilën ishte duke e vozitur.

Ai më tutje tregon tutje se në ditën e parë kur kanë dërguar vëllain në QKUK, menjëherë është futur në një operacion dhe ka qenë në koma, pastaj po atë ditë dikush nga familjarët e policëve të përfshirë në aksident, kanë kontaktuar familje dhe më që nga ajo ditë askush prej tyre nuk i ka kontaktuar për të mësuar gjendjen e Ademit.

“Në ditën e parë që e kemi dërguar në spital ata familjarët e policëve të përfshirë kanë dërguar fjalë, vetëm kanë kërkuar falje dhe që nga 5 nëntori kur ka ndodh aksidenti deri më sot ata nuk janë lajmëruar fare”. “Shteti na ka mbyt vëllain, ka qenë vëllai dy javë në koma, askush nuk është interesuar për gjendjen e tij” rrëfen më tutje i emocionuar vëllai i tij.

Më tutje për gazetën Zëri vëllai i të ndjerit tregon se familja Llausha kërkon vetëm drejtësi për vdekjen e vëllait të tyre.

“Nëse është nevoja edhe në Strasburg në Gjykatën Evropiane do të shkojmë” tha më tutje ai

Familjarët dyshojnë se i njëjti zyrtar policor që ka qenë i përfshirë në këtë aksident, ka pasur edhe disa raste të tjera të aksidenteve më herët.

Familjarët shprehin habinë se si shteti ka lejuar të dal në trafik një zyrtar policor i cili ka pasur disa raste me aksidente më herët.

“I njëjti polic, kemi informata se ka pasur deri 4 raste aksidente para se me ndodh me vëllain tonë, nuk po kuptoj si shteti e ka len të dal në komunikacion një person i cili ka pasur kaq raste të aksidenteve”, thotë ai për “Zërin” Llausha.

Ata kanë kërkuar edhe nga ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu që të angazhohen për rastin dhe të bëjnë sa më shumë që drejtësia të shkoj në vend.

“E ka len një djalë 15-vjeçar, gruan e re. Shteti le të ma shpjegon se si është e mundur 150km/h të vozitë policia në mes të qytetit.

“I bëj thirrje ministrit të Punëve të Brendshme, Xhela Sveçla, ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të marrin rastin seriozisht dhe ishalla vëllai jonë është i fundit dhe të mos shkoj dëm jeta e një veterani të UÇK-së”, thotë vëllai Fehmiu. /Zëri