Diskutime mbi emërimet e Presidentit të zgjedhur Trump
Disa nga të emëruarit për kabinetin e Presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, po cilësohen si kandidatura “të papërshtatshme” në qarqet demokrate dhe republikane.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson u kujtoi kritikëve të dielën se populli amerikan votoi, siç u shpreh ai, “për të shkundur status-quo-në” dhe se kjo është detyra me të cilën do të ngarkohen zyrtarët e rinj, nëse konfirmohen.
Presidenti i zgjedhur, Donald Trump vazhdoi edhe gjatë fundjavës plotësimin e kabinetit të tij, duke emëruar Chris Whrist, një mbështetës i industrisë së naftës dhe gazit, për postin e sekretarit të energjisë.
Zoti Trump u ka dhënë përparësi aleatëve besnikë për postet kyçe të kabinetit.
Një nga emërimet që ka ngjallur më shumë debate është ai i ish-ligjvënësit republikan Matt Gaetz për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, (post i barazvlershëm me atë të Sekretarit të Drejtësisë).
Para se ai të jepte dorëheqje javën e kaluar, një Komision Etik i Dhomës së Përfaqësuesve ishte në prag të përfundimit të hetimeve ndaj tij për akuzat për abuzim seksual dhe përdorim të paligjshëm të drogës. Zoti Gaetz i mohon akuzat.
Ligjvënësi demokrat, Adam Schif tha për rrjetin CNN se, sipas tij, zoti Gaetz nuk është i kualifikuar për të shërbyer në rolin e propozuar.
“A do të kemi një Prokuror të Përgjithshëm ndaj të cilit janë ngritur pretendime të besueshme se është përfshirë në trafikun seksual të fëmijëve, përdorimin e mundshëm të drogave, pengim të hetimeve dhe që përvojën e vetme në Departamentin e Drejtësisë e ka me hetimet ndaj tij”, thotë zoti Schiff.
Senatori republikan, Markwane Mullin beson se Senati duhet të ketë qasje në gjetjet e hetimit, por ai i tha rrjetit NBC se zoti Gaetz meriton një shans të drejtë për t’u konfirmuar për rolin që është emëruar.
“Nuk kam dyshime se Presidenti Trump beson se ai është personi i duhur për të bërë punën e duhur. Ai do të trajtohet njësoj, si çdo i emëruar”, tha zoti Mullin.
Udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësi demokrat Hakeem Jeffries foli po të dielën në rrjetin NBC.
Ai hodhi dyshime mbi përzgjedhjet e zotit Trump për kabinetin e tij, disa prej të cilëve, tha ai, nuk kanë përvojë për detyrat që janë propozuar.
“A është kjo më e mira që Amerika mund të ofrojë në një moment si ky, kur po përballemi me kaq shumë sfida? Sigurisht që jo”, tha ai.
Duke votuar për Donald Trumpin, populli amerikan u dha republikanëve mandatin për të ndryshuar gjendjen e vendit, theksoi Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson.