Aktakuzë për falsifikim dokumenti ndaj një mjeku të QKUK-së
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve për veprat penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se aktakuza është ngritur ndaj të pandehurve B.A. me profesion mjek në QKUK, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale: “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, e sanksionuar me Nenin 427, paragrafi 1 i KPRK-së dhe të pandehurit B.D., për shkak të veprës penale: “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, e sanksionuar me Nenin 395, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
“Hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri B.A. ka falsifikuar dokumentet zyrtare të QKUK-së, për dobi të të pandehurit B.D., kurse i pandehuri B.D. akuzohet se dokumentet me përmbajtje të rreme i ka dorëzuar në gjykatë, në rastin me numër PS. nr. 30/2”, thuhet në njoftim.
Kjo çështje penale thuhet se tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.