Sherr me thika te shkolla “Fan Noli” në Tiranë, vdes një 14-vjeçar

Tre adoleshentë janë zënë me thika pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.

Mësohet se ata janë nxënës të kësaj shkolle, ndërsa ende nuk dihet arsyeja e sherrit mes tyre.

Sipas informacioneve, 14-vjeçari, i cili ishte në gjendje të rëndë ka vdekur në spital, ndërsa tjetri ndodhet në spital në kujdesin e mjekëve.

Adoleshenti i tretë është shoqëruar në Polici, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të sherrit.

“Më datën 18.11.2024, rreth orës 13:10, në rrugën ‘Qema Stafa’, rreth 200-300 metra larg shkollës ‘Fan Noli’ janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre, ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit”, sipas njoftimit të Policisë. /TCH