“Hykmete ku është paswordi?”, Kelmendi kërkon llogari nga ish-ministrja për platformën e digjitalizimit prej 5.6 milionë eurove

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka ngritur pyetje lidhur me projektin prej 5.6 milionë eurove për platformën e digjitalizimit të arsimit në Kosovë, e cila, sipas tij, nuk është funksionale dhe nuk gjendet askund.

Kelmendi në një postim në Facebook ka pyetur ish-ministren Hykmete Bajrami se ku është avulluar ky projekt milionësh.

Ai thotë se platforma ishte pranuar nga Hykmete Bajrami, më 18 mars 2020, kur ajo ka marrë kredencialet për qasje në sistemin digjital të arsimit.

“Znj. Hykmete Bajrami ku është avulluar projekti 5.6 milionë euro për platformën e digjitalizimit të arsimit që nuk e kemi gjetur askund?! Më 18 mars 2020 (shih dokumentin) janë pranuar kredencialet për qasje në platformën digjitale të arsimit nga Hykmete Bajrami, ministre e Arsimit.

Kjo platformë i kishte kushtuar buxhetit të vendit 5.6 milionë euro. Sot e asaj dite paratë kanë shkuar dhe platforma nuk gjendet askund”, shkroi Kelmendi.

Kelmendi thekson se ky projekt, që duhet të paguhet nga buxheti i shtetit deri në vitin 2032, është një kosto e madhe për taksapaguesit kosovarë.

“Ne, me taksat e qytetarëve, duhet të paguajmë për këtë sistem shumën prej 5.6 milionë euro deri në vitin 2032. Platforma nuk gjindet”, ka shkruar Kelmendi.

Në përfundim, Kelmendi kërkon nga Hykmete Bajrami të sqarojë arsyet për mungesën e kësaj platforme, duke pyetur: “Hykmete ku është paswordi?”.