Kërkohet që Universiteti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë të jenë “kujdestarë të identitetit kombëtar”

Departamenti i Historisë i Fakultetit Filozofik (UP) në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë, Fakultetin e Shkencave Sociale nga Universiteti i Shkodrës dhe Institutin Albanologjik, kanë organizuar seminarin me titull “Alfabeti shqip dhe identiteti kombëtar”.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Bekim Maliqi, ka thënë se qëllimi i këtij seminari është sakrificat që janë bërë deri në themelimin e një gjuhe të përbashkët.

“Kjo temë bartë një vlerë e jashtëzakonshme sepse alfabeti ynë nuk është vetëm mjet komunikimi por është edhe bashkim i trojeve shqiptare. Në këtë seminar kuptojmë që gjuha shqip u bë urë për të bashkuar shqiptarë. Jam i bindur që ligjëratat tona sot do të kontribuojnë në historinë shqiptare”, ka thënë Maliqi.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj ka deklaruar se krijimi i një gjuhe të përbashkët ka qenë gur themeli i bashkimit drejt një kombi të përbashkët.

“Është një gur themel formësimi i identitetit tonë kombëtar, më shumë se një akt gjuhësor krijimi i një alfabeti të përbashkët na bashkim dhe na përfaqëson kudo që jemi. Është testament i fuqishëm dhe kemi obligim ta mbrojmë fort dhe ta përfaqësojmë si simbol kombëtar. 80 vjetori i çlirimit të Shqipërisë është një tjetër ngjarje e shenjtë, çlirimi përbënë themelin e asaj që sot e quam shtet sovran dhe stabilitet në rajon. Sot diskutohet për alfabetin shqip që reflekton për rrugën që kemi bërë dhe sfidat që na presin. Universitetet tona nuk janë vetëm institucione të dijes, ky seminar është shprehje e këtij bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë mundësi për të forcuar lidhjet tona kulturore, kombëtare. Roli ynë është të jemi kujdestar të kësaj trashëgimie duke përcjellë me përgjegjësi në brezat ë ardhshme”, ka thënë ai.

Profesori i Universitetit të Prishtinës, Mentor Hasani, ka potencuar se shqiptarët për të arritur në një alfabet të përbashkët kanë pasur sfida dhe rrugë të gjatë.

“Shqiptarët kanë pasur një rrugë të gjatë drejt identitetit. Një komb që nuk vlerëson dhe nuk e përdor gjuhën e tij shuhet. Kjo reflekton në rëndësinë e gjuhës dhe rezistencën kombëtare. Rilindja kombëtare shqiptare, shqiptarët janë përballur me sfida të shumta për të mbrojtur kombin dhe gjuhën. Në shekullin 19 Greqia dhe Serbia hapën shkolla në trojet shqiptare. Dhe zgjidhja e vetme ishte të përdoret gjuha shqipe”, ka thënë Hasani.

Bendis Kraja, profesoreshë në Universitetin e Shkodrës, ka theksuar se Kongresi i Manastirit ka ndikuar në zgjidhjen e problemit për një gjuhë të përbashkët.

“Duke qenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka gjuha nuk munguan. Me ardhjen në fuqi e xhon turqve, lëvizja jonë kombëtare hynë në lëvizje dinamike. Pikërisht kjo u shfrytëzua guximshëm nga klasa e shqiptarëve. Hapi i parë ishte Kongresi i Manastirit, shqiptarët ta zgjidhin njëherë e mirë çështjen e një alfabeti të përbashkët dhe për këtë është bërë Kongresi i Manastirit”, ka thënë Kraja. /Eo