Kurti: Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, vlerë e shtuar për partneritetin mes vendeve tona

Në Prishtinë është duke u mbajtur takimi i dytë ndërqeveritar mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut.

Në fjalën e tij hyrëse në këtë takim, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjersa falënderoi Maqedoninë e Veriut për mbështetjen që ia jep Kosovës për anëtarësim në NATO, përmendi faktin se duhet të jemi vigjilentë edhe ndaj rreziqeve që kemi përreth.

Kurti përmendi se në rajonin tonë ka aktorë që u shërbejnë superfuqive keqdashëse.

“Të mbetemi vigjilentë për rreziqet që kemi përreth, ka në rajonin tonë akterë që u shërbejnë fuqive e superfuqive keqdashëse që synojnë të ndalin progresin dhe të tërheqin rajonin mbrapa duke mos lejuar që demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit të jenë të drejtat tona themelore”, tha Kurti.

Kryeministri u shpreh se është vendimtare që ta mbajmë orientimin tonë strategjik të qartë, orientim që përputhet me aspiratat tona të përbashkëta për integrim në NATO dhe BE.

Kurti foli edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për të cilët tha se duhet t’i shohim si vlerë e shtuar.

“Maqedoninë e Veriut e shohim vend mik. Shqiptarët e Maqedonisë duhet ti shohim si vlerë e shtuar, si ura të pa shembura të bashkëpunimit më të ngushtë e më të fuqishëm mes dy republikave tona”, tha Kurti.

Në fund të fjalës së tij, Kurti tha se e dënojnë gjithnjë agresionin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës.