Mickoski Kurtit për shkëmbimet energjetike: Stacion të parë kemi Prishtinën

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Kosovës në krye me Albin Kurtin, tha se bashkëpunimi bilateral mes dy vendeve do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

Kryeministri maqedonas inkurajon po ashtu për thellim të bashkëpunimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

“Dua të ju inkurajoj për bashkëpunim më të thellë midis ministrive kompetente por edhe bashkëpunim që do të jetë në bazë në realizim të rezultateve. Jam i bindur se bashkëpunimi bilateral do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Momente të tilla të na shumohen”, tha Mickoski në fjalën e tij.

Po ashtu, Mickoski tha se stacioni i parë kur Maqedonia e Veriut do të ketë nevojë për shkëmbim të energjisë elektrike, do të jetë Prishtina, dhe njësojë shpreson të veprojë edhe Kosova ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Në pjesën e shkëmbimit të energjisë elektrike, jo çdo herë e kemi atë që na nevojitet, e stacioni i parë është Prishtina, por kur juve ju nevojitet dhe ju duhet, stacioni i parë në të cilën shpresojmë të drejtoheni, jemi ne, si shtet dhe fqinji juaj”, u shpreh Mickoski.