Aktakuzë ndaj dy personave në Prizren për lëndim të rëndë trupor, me pasojë vdekjen

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve E.A., (shtetas turk) dhe H.B., (shtetas kosovar), të cilët gjenden nën masën e paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Lëndimi i rëndë trupor”, “Mosdhënia e ndihmës” dhe veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale ose kryesve të tyre”.

Në njoftim është përshkruar aktakuza, ku është përshkuar mënyra se si sipas Prokurorisë ka ndodhur rasti.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri E.A., më datë 06.07.2024, rreth orës 23:50 min., në Prizren, me anë të mjetit të rrezikshëm, i shkakton lëndim trupor personit tjetër dhe për pasojë shkakton vdekjen e tij, në atë mënyrë që paraprakisht takohen me viktimën A.Th., nga Prizreni në lagjen ‘Kurillë’, me ç’rast viktima ia kërkon telefonin të pandehurit me qëllim që ta njoftojë shokun e tij – të pandehurin tjetër H.B. dhe pasi që ky i fundit vjen me veturën e tij në lokacionin në fjalë, i pandehuri ulet në ulësen e pasme të automjetit, derisa viktima në ulësen e përparme dhe pas një konfrontimi verbal me njëri-tjetrin, dalin nga vetura, me ç’rast i pandehuri me përdorimin e një mjeti të mprehtë, e godet viktimën në pjesën e përparme të këmbës, duke i shkaktuar plagë therëse, të konstatuara si në Raportin e Autopsisë – të datës 31.10.2024, dhe largohet nga vendi i ngjarjes, ku për pasojë, viktima nga plagët e pësuara, pasi fillimisht pranon ndihmën mjekësore pranë Qendrës Emergjente në Prizren, dërgohet më pas pranë QKUK-së në Prishtinë, ku si pasojë e shokut hemorragjik edhe ndërron jetë”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime i pandehuri E.A. thuhet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor”.