Kurti: Kosova dhe Maqedonia e Veriut s’kanë mosmarrëveshje, por partneritet e bashkëpunim të gjerë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fjalën e tij në mbledhjen e qeverive mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut e nisi duke sqaruar se këto dy shtete nuk kanë mosmarrëveshje mes vete.
Ai tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë fqinj, miq e partnerë të lidhur.
“Së pari po e nisi me një pikë të rëndësishme, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë mosmarrëveshje, kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë. Ne jemi fqinj, miq dhe partnerë të lidhur jo vetëm përmes tregtisë që është çdo herë në rritje por edhe përmes lidhjeve, familjeve e bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë”, tha Kurti
Më tej, shefi i Qeverisë theksoi rëndësinë simbolike të takimit që po mbahet sot, pasi tha se përkon me 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes të dyja vendeve.
“Gjatë këtyre viteve janë nënshkruar 50 marrëveshje dhe memorandume që na ofruan më shumë me njëri-tjetrin, dhe rëndësi ka zbatimi i tyre i plotë dhe i përpiktë”, tha Kurti.
Po ashtu, Kurti shprehi kënaqësinë dhe nderin që në Prishtinë mirëpriti homologun maqedonas Hristijan Mickoski dhe delegacionin e tij për takimin e dytë.