Ramadani kërkon të mos lejohet Stoilkoviqi në takimin e dy qeverive: Ka agjendë antishqiptare, njëjtë sikur të jetë Vulini aty

Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka bërë thirrje të mos mirëpritet sot në takimin e dy qeverive Kosovë - Maqedoni e Veriut zëvendëskryeministri maqedonas, Ivan Stoilkoviqi.

Ramadani ka theksuar se ai ka një agjendë të hapur kundërshqiptare dhe kundër ekzistencës së shtetit të Kosovës.

Në një postim në rrjetet sociale, Ramadani e akuzoi Stoilkoviqin për lidhje të ngushta me regjimin serb, duke theksuar se “ai vazhdimisht viziton Moskën dhe në krah të Vulinit e Dodikut, ka marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Rusi, më 25 maj 2023”.

Ramadani e kritikon Stoilkoviqin për deklaratat e tij në lidhje me politikën e jashtme të Maqedonisë së Veriut, ku ai e shpalli Serbinë si aleatin kryesor të këtij shteti.

“Ai që në ditën e parë të detyrës në Qeverinë në Shkup e ka shpallur Serbinë si aleatin kryesor të Maqedonisë së Veriut”, shkruan Ramadani.

Për më tepër, Ramadani përmendi se gjatë procesit të lustrimit në Maqedoninë e Veriut, u dëshmua se Stoilkoviq ishte një “punëtor i Shërbimit Sekret të Serbisë”.

Ai e përfundoi mesazhin e tij duke thënë “Stoilkoviqi nuk duhet të jetë i mirëpritur në mbledhje me Qeverinë e Kosovës. Është njëjtë sikur të jetë aty Aleksandar Vulini!”.