Fillojnë përgatitjet për mbledhjen e përbashkët qeveritare Kosovë - Maqedoni e Veriut
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut sot do të mbajnë mbledhje të përbashkët në Prishtinë.
Në vendin ku do të mbahet ky takim tashmë kanë filluar përgatitjet, raporton Zeri.info.
Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pritet të nisë nga ora 11:20. Ndërsa në atë kohë pritet të nisin edhe takimet bilaterale të ministrave të qeverive.
E takimi ndërqeveritar pritet të nisë nga ora 12:00.
Në orën 13:30 pritet të nisë ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale, ndërsa do të pasohet më pas me konferencë të përbashkët të kryeministrave të dy vendeve.
Zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë, Venera Azizi, duke komentuar mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, e cila do të mbahet në Prishtinë, ka thënë se ky takim shënon një moment të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe një shembull të bashkëpunimit që na afron drejt një rajoni më të zhvilluar dhe të integruar.
Ajo ka shkruar në Facebook se partneriteti ynë sot është më i fortë se kurrë.
“Në agjendë janë marrëveshje konkrete që do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Ky është vizioni për një të ardhme më të mirë për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Kosovës”, ka shkruar Azizi. /Zëri
Më poshtë, Zeri.info ju sjell fotografitë nga përgatitjet që po bëhen para fillimit të mbledhjes së përbashkët qeveritare Kosovë - Maqedoni e Veriut: