Pacolli reagon ndaj Pecit: Dikur mbaje bluzën e kompanisë sime, sot më quan vrasës

Ka vazhduar debati mes kryetarit të Aleancës Kosova e Re (AKR) Behgjet Pacollit dhe ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.

Përplasja nisi pasi Peci hodhi një akuzë të rëndë, duke pretenduar se emri i Pacollit figuron në dosjen e vrasjes së njërit prej heronjve më të shquar të historisë së Kosovës.

Pacolli, i indinjuar nga deklaratat e ministrit, iu përgjigj publikisht duke kujtuar marrëdhëniet e tyre të dikurshme dhe duke vënë në pikëpyetje sinqeritetin e Pecit.

“E kuptoni tani korrektësinë dhe sinqeritetin, ose kontraversitetin, e këtyre ‘ministrave’? Ky është një shembull praktik: dikur mbante bluzën me emrin e firmës sime dhe vinte në shtëpinë time, ndërsa tani më quan vrasës. Si mund të kuptohet kjo punë?”, shkroi Pacolli.

Akuzat mes tyre nisën pas raportimeve se ministria e Bujqësisë nuk i kishte ndarë subvencione nënave të veja të Krushës, kurse vëllait të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, kishte dhënë grant në vlerë 100 mijë euro.