Punëtoret teknike përsëri nuk lejohen të hyjnë brenda objektit të Kuvendit

Është java e nëntë që kur punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës kanë hyrë në grevë. Ato po kërkojnë rritje të pagave tash e tre muaj.

Por nuk është hera e parë që Kuvendi nuk i lejon këto punëtore të hyjnë brenda, e kështu ndodhi edhe mëngjesin e sotëm.

Sipas Rtv Dukagjinit, ato po presin publikimin e listës zyrtare, për të mësuar se cilat prej tyre do të mbeten në punë dhe cilat jo.

Para tri ditëve ka pasur raportime se me kontratën e re të nënshkruar mes Kuvendit dhe operatorit privat, punëtoret e deritashme të angazhuara në Kuvend do të zëvendësohen me të tjera.

Kjo pak a shumë është konfirmuar nga një njoftim i Kuvendit, ku thuhet se ky institucion është vetëm pranues i shërbimeve nga operatori ekonomik dhe sipas ligjit i njëjti kërkon shërbime, por thotë se “nuk ka të drejtë të ndërhyjë në përzgjedhjen e stafit të operatorit ekonomik”.

Ndërkaq kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, dyshon se në Kuvendin e Kosovës ky operator ka dërguar punëtore shtesë nga Universiteti i Prishtinës, ose edhe nga QMF-të.