Peci: Emri i Behgjet Pacollit figuron në dosjen e vrasjes së njërit prej heronjve më të shquar

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se ka kuptuar që emri i kryetarit të AKR-së Behgjet Pacolli figuron në dosjen e vrasjes së një prej heronjve më të shquar të historisë së Kosovës.

Ai këtë e ka thënë në një postim në Facebook, si reagim ndaj Pacollit lidhur me rastin e dhënies së grantit, vëllait të Fitore Pacollit.

“Behxhet Pacolli, po të drejtohem shumë gjakftohtë. Shumë faleminderit për këshillën more ‘trim altruist’. Po prejse e kam kuptu që emri yt figuron në dosjen e vrasjes së njërit prej heronjve më të shquar të historisë së Kosovës, unë ty të llogariti diçka tjetër”, shkroi Peci në Facebook.

Pacolli ka thënë se reagimet “emocionale” të Pecit, lënë dyshime se ka pasur keqpërdorime.

“Ministër Peci, mos u mërzit për çdo akuzë që të drejtohet,(nese mendon qe nuk janë të vërteta). Reagimi emocional, si ai që bën ti zakonisht, mund të japë përshtypjen se akuza është e vërtetë. Nëse akuzat që janë bërë ndaj teje nuk janë të vërteta, mos reago fare,ashtu siç nuk reagova unë kur ti më quajte publikisht agjent të Putinit dhe Vuçiqit.Qetësia dhe përmbajtja janë përgjigjja më e fortë ndaj kritikave të pabaza”, kishte shkruar Pacolli.