Xhemaili ironizon Kurtin: Nuk ka arsye të preket për doracakun, fëmija i tij nuk i mëson në Kosovë
Zëdhënësi i AAK-së dhe njëherësh kandidat për deputet, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar pas deklarimit të fundit të kryeministrit, Albin Kurti, për doracakun e edukimit seksual.
Kurti ka deklaruar se është shtuar lufta hibride ndaj Qeverisë kur foli për doracakun mbi edukimin seksual që ditëve të fundit pati shumë reagime rreth tij.
Përmes një postimi nërrjetin social Facebook, Xhemaili ironizoi me Kurtin, duke thënë se ai nuk ka arsye të shqetësohet për këtë çështje, pasi fëmija i tij nuk mëson në sistemin arsimor të Kosovës, tash e katër vjet.
“Kurtit nuk i mëson fëmija në sistemin e dështuar arsimor që katër vjet. Doracakun mund ta lexojnë nëpër lozhat e selive të LVV-së anembanë,” shkroi ai në profilin e tij.
Xhemaili gjithashtu e cilësoi kryeministrin Kurti si “Don Kishotin e kauzave të humbura” dhe akuzoi kabinetin e tij për thyerje rekordesh të skandaleve.
Ky reagim vjen mes kritikave të shumta që opozita dhe shoqëria civile kanë bërë ndaj doracakut, duke e cilësuar atë si një simbol të dështimeve në sektorin e arsimit.