Muriqi: Jemi krenar dhe kemi marrë vendim të duhur në Rumani, nesër asnjë rezultat tjetër përveç fitores
Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Lituanisë, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Muriqi fillimisht foli për ndodhitë në ndeshjen ndaj Rumanisë, ku tha se jemi krenar dhe se kanë marrë vendimin e duhur në atë moment.
Për ndeshjen ndaj Lituanisë, Muriqi theksoi se nuk pajtohemi me asnjë rezultat tjetër përveç fitores.
“Jemi krenar dhe kemi marrë vendim të duhur në atë moment. Ishim të prekur emocionalisht dhe moralisht, por ne e kemi mbyllur këtë kapitull. Jemi të koncentruar në ndeshjen e nesërme që ta përmbyllim këtë cikël me fitore. Nuk do të pajtohemi me asnjë rezultat tjetër përveç fitores. Jemi të përgatitur fizikisht dhe psikologjikisht për nesër. Jemi të stëvitur dhe e kemi përgatitur lojën kundër Rumanisë 4-5 ditë, dhe është vërejtur që do të kemi një ndeshje të shkëlqyeshme. Jemi nisur Rumani me mentalitetin e fitores, por nuk shënuam. Besoj fuqishëm që do të vazhdojmë të luajmë si në ndeshjen me Rumaninë, edhe nesër por edhe në ciklin e ardhshëm. Nesër na pret një ndeshje e vështirë. Lituania ka lojtarë cilësorë dhe me përvojë dhe do të mundohen që të na ndëshkojnë, por ne duhet ta zgjidhim ndeshjen sa më shpejtë, të shënojmë që ata mos të fitojnë vetëbesim”, ka përfunduar Muriqi.
Ndeshja Kosovë – Lituani do të zhvillohet nesër (e hënë) në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 20:45. /Zëri