Foda: S’do të jetë problem për ngjarjet e fundit, tani fokusi ynë është te ndeshja ndaj Lituanisë

Selektori i Kosovës, Franco Foda ka folur në konferencë për shtyp, para ndeshjes ndaj Lituanisë, dhe e fundit për këtë edicion në Ligën e Kombeve.

Foda u shpreh se tani fokusi ynë është te ndeshja ndaj Lituanisë.

“Nuk do të jetë problem. Ekipi ka luajtur shumë mirë në Rumani. Më e rëndësishmja është që ne jemi rikuperuar. Kemi mbërritur shumë vonë dhe tani po përgatitemi për lojën e ardhshme”.

“Edhe pas ngjarjes së fundit në Rumani, prapë se prapë ekipi ka vetëbesim. Kemi treguar lojë të mirë në Rumani. Kemi treguar lojë të mirë në sulm e në mbrojtje. Do të përgatitemi tani për lojën e ardhshme ndaj Lituanisë”, ka thënë fillimisht Foda.

Foda tutje konfirmoi edhe mungesat për ndeshjen e nesërme.

“Do të mungojnë Amir Rrahmani e Lumbardh Dellova. Këta dy lojtarë janë ndëshkuar me kartonë të verdhë dhe nuk do të jenë të gatshëm për lojën e radhës ndaj Lituanisë. Kemi opsione të mjaftueshme. Kemi Alitin, Hotin, Krasniqin dhe të tjerët”.

Në vazhdim ai foli edhe për Lituaninë duke thënë se janë një ekip mjaft kompakt dhe që luajnë mirë me kundërsulme.

“Lituania e ka një ekip mjaft kompakt. E kam përcjellur ndeshjen e Lituanisë në Rumani dhe edhe pse nuk ka marrë pikë nga ajo sfidë, ka luajtur shumë mire. E rëndësishme është që të dalim përtej limiteve tona dhe të japim 100 për qind të cilësive tona. Duhet ta kemi pasionin dhe energjinë sikur që e kishim me Rumaninë”, përfundoi ai.

Ndeshja Kosovë – Lituani do të zhvillohet nesër (e hënë) në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 20:45. /Zëri