Lucescu akuzon sërish kosovarët: Mungesë e “fair-playt”
Përzgjedhësi i Rumanisë në futboll Mircea Lucescu ka akuzuar futbollistët e Kosovës për mungesë të “fair-playt”.
Lucescu ka pranuar se Kosova ka luajtur më mirë në ndeshjen e të premtes, ai thotë se ishin të përgatitur se mund të ndodhte një largim i tillë nga fusha.
“Kosova u paraqit shumë mirë, ka lojtarë që luajnë në klube të mira. Ata kontrolluan lojën. Ne nuk ishim të mprehtë në sulm, humbëm shumë topa... Lojtarët ndjenë edhe presionin e një stadiumi të mbushur, ndryshe nuk mund ta shpjegoj. E dinim më parë se do të largoheshin nga fusha, e kishin deklaruar edhe në konferencë. Publiku u soll mrekullisht. Prisja që himni i tyre të mos fërshëllehej, i dhanë ujë mullirit. Ata shpresonin se do të dilnin nga fusha dhe do të fitonin 3-0. Mungesë e tmerrshme e lojës së ndershme”, ka theksuar ka theksuar Mircea Lucescu në konferencën për shtyp.
Siç raporton GSP, Lucescu beson se vendimi i UEFA-s pas momenteve të kaluara në ndeshjen me Kosovën mund të jetë vetëm një, Rumania të fitojë në “tavolinën e gjelbër”.
“Nëse nuk fitojmë 3:0, do të thotë se nuk ka më rregullore. Gjithsesi u shkel ajo, sepse vazhdoi kaq gjatë. Duhej të merrej menjëherë vendimi, por s’kishin guxim ta bënin. Ne ishim të gatshëm të qëndronin deri në mëngjes. Gjithsesi u ktheva në shtëpi në 4. Një ekip që largohet nga fusha duhet të humbasë 0:3. Unë i respektoj lojtarët e tyre, shtrëngova duart, më erdhi Muriqi, por sjellja e tyre”, ka thënë Lucescu në konferencë për media.
Ndeshja e së premtes ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës u ndërpre në minutat shtesë, pasi lojtarët e kombëtarës së Kosovës u tërhoqën nga fusha pas fyerjeve, thirrjeve “Kosova është Serbi” dhe hedhjes së gjësendeve nga tifozët rumunë. /rtk