Sylvinho pas barazimit ndaj Çekisë: Gjithçka është e hapur
Shqipëria nuk ka mundur të marrë më shumë se një pikë në duelin ndaj Çekisë, në kuadër të Ligës së Kombeve .
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” përfundoi me rezultat 0-0.
Pas ndeshjes ka folur edhe trajneri i Shqipërisë, Sylvinho ku tha se gjithçka është e hapur.
“Ndeshje e vështirë. Siç e kisha thënë, Çekia është skuadër jo e fortë, por shumë e fortë fizikisht, e vështirë për t’u përballur. Ne nuk jemi skuadër fizike, ndaj na duhet të luajmë në mënyrë tjetër. Sa shanse kemi për vendin e parë? Është shumë e vështirë, por gjithçka është e hapur. Gjithçka mund të ndodhë. Duhet të përgatitemi mirë për sfidën e fundit. Ky grup është shumë i ekuilibruar”, tha Sylvinho.
Ndeshjen e radhës dhe të fundit, Shqipëria e zhvillon ndaj Ukrainës të marten mbrëma, në “Air Albania”, në orën 20:45.
Aktualisht, grupin e udhëheq Çekia me tetë pikë, teksa pas vetes ka lënë Gjeorgjinë që ka shtatë sosh po aq sa ka edhe Shqipëria në vendin e tretë. /Zëri