Italia nis më shumë se 15 tonë ndihma humanitare në Gaza
Një aeroplan i forcave ajrore italiane u ngrit dhe transportoi më shumë se 15 tonë ndihma humanitare që do t’i dorëzohen popullatës palestineze në Gaza, ka njoftuar Ministria italiane e Mbrojtjes.
Bëhet e ditur se ndihma në bordin e aeroplanit C-130J, i cili u nis nga qyteti qendror italian i Pizës, ishte mbledhur nga grupi bamirës Confederazione Nazionale delle Misericordie d’Italia.
“Italia po bën dhe do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është e mundur për të lehtësuar vuajtjet e popullsisë civile në Gaza”, tha ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto.
Crosetto shtoi se Italia nuk i harron ata që po vuajnë dhe është e angazhuar për të ulur tensionet e konfliktit, shkruan Reuters.
Siç raportohet, aeroplani do të fluturojë për në aeroportin e Larnakës në Qipro, pas së cilës të gjitha materialet që ai mban do të transferohen në Gaza.
Ndryshe, në fillim të këtij viti, Italia realizoi nismën e quajtur Ushqimi për Gazën për të ndihmuar civilët atje. /Telegrafi