Shqipëri-Çeki, atmosferë e jashtëzakonshme e Tifozave Kuq e Zi para ndeshjes

Shqiptarët gjithandej po bëhen gati për të ndjekur ndeshjen vendimtare të Kombëtares “Kuqezi” kundër Çekisë, ku një fitore në “Arenën Kombëtare” do të rriste shanset që Shqipëria të kryesojë grupin në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Para takimit, Tifozat Kuq e Zi, grupimi që ndjek prej dy dekadash skuadrën kombëtare në çdo ndeshje brenda dhe jashtë vendit, realizuan një spektakël të vërtetë me fishekzjarrë si dhe bënë një parakalim madhështor drejt stadiumit.

Nga ana tjetër, sa i përket asaj që do të ndodhë në fushën e lojës, duket se trajneri Sylvinho nuk do të ndryshojë asgjë, duke lënë mënjanë eksperimentet dhe duke i qëndruar besnik skemës së tij të preferuar 4-2-3-1.

Porta është e sigurt me gardianin Thomas Strakosha. Mbrojtja nga krahët do të ketë Mario Mitajn në të majtë dhe Ivan Balliun në të djathtë ndërsa qendra me Ismajlin dhe Ajetin, ky i fundit për shkak të dëmtimit të Gjimshitit me Atalantën. Në mesfushë Asllani e Ramadani dhe para tyre Qazim Laçi.

Ndërkohë pak më të avancuar janë Asani dhe Bajrami që do të ndihmojnë majën e sulmit, Indrit Tucin.

Për fatin e mirë, pas seancës së fundit stërvitore, grupi ishte i plotë dhe pa probleme.

Me një stadium me kapacitet të plotë, qëllimi është një dhe i vetëm: të marrin pikët e plota në dy ndeshjet e fundit në grup për të arritur objektivin e vendit të parë.