Kriza financiare, Lyoni pritet të zbresë në kategorinë e dytë

Një lajm i bujshëm është publikuar nga mediat franceze, ku bëhet me dije se skuadra e Olimpik Lyon pritet të zbresë nga kategoria, ndërsa shkak janë bërë problemet finanaciare. Sipas asaj që deklarohet, të premten Drejtoria Kombëtare e Kontrollit të Menaxhimit ka analizuar llogaritë bankare të klubit historik francez, e ka bërë me dije se në rast se nuk ndryshon situata, Lyon duhet të bjerë nga kategoria në fund të sezonit.

Në gjuhën e futbollit kjo cilësohet si rënie paraprake nga kategoria ku ekipi bën pjesë, për faktin se në rast se situata gjen zgjidhje, skuadra mund të qëndrojë mes më të mirëve. Në të kundërt, atëherë do të detyrohet që të luajë në një ligë më inferiore.

Një prej zgjidhjeve që sugjerohet është ajo e shitjes së disa prej futbollistëve me vlerë të madhe, për të balancuar disi arkat e klubit. Këtë sezon Lyon po kalon një formë shumë të mirë në kampionat, ndërsa garon paralelisht dhe në Europa League. Në Ligue 1 renditet në vendin e pestë me 18 pikë, 2 pikë larg zonës Champions.