Haradinaj premton lehtësira tatimore për prodhuesit vendorë dhe eksportuesit

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma-Konservatorët-E30, Ramush Haradinaj, ka premtuar mbështetje konkrete për bizneset vendore, duke propozuar heqjen e tatimit në fitim për produktet e eksportuara dhe zgjerimin e listës së lëndës së parë për prodhuesit vendorë.

“Bizneset tona të suksesshme janë dëshmia më e mirë e potencialit të jashtëzakonshëm ekonomik të Kosovës,” u shpreh ish-kryeministri gjatë vizitës në një kompani biznesore.

Haradinaj kritikoi qeverinë aktuale për braktisjen e prodhuesve vendorë dhe premtoi eliminimin e burokracisë së tepërt në Administratën Tatimore të Kosovës.

“Çdo biznes i suksesshëm është një familje më shumë me siguri ekonomike, një komunitet më i fortë dhe një ekonomi më e qëndrueshme për të gjithë,” theksoi lideri i AAK-së.

Haradinaj u zotua se do të qëndrojë përkrah çdo biznesi që investon në të ardhmen e vendit, duke theksuar se Kosova ka nevojë për politika që nxisin investimet dhe mbrojnë prodhimin vendas.