Policia e Kosovës kërkon besim në veri, qytetarët i duan “të vetët”
Nëpërmjet komunikimit, në shërbim dhe mbrojtje të qytetarëve! Ky është slogani i fushatës për promovimin e punës së Policisë së Kosovës në komunat me shumicë serbe në veri, e cila filloi më 13 nëntor në Mitrovicën e Veriut.
Policia e Kosovës tha se u ka shpërndarë qytetarëve fletëpalosje informuese dhe se ata janë shprehur “të kënaqur me punën e policisë”.
Por, disa qytetarë nga veriu i Kosovës, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, mohojnë se janë të kënaqur me punën e policisë dhe theksojnë se “nuk kanë besim”.
Miodrag Milliqeviq, nga organizata joqeveritare Aktiv në Mitrovicë të Veriut, thotë se “injorimi i realitetit nga ana e policisë, tregon se sa e keqe është situata në terren”.
“Ankesat e shumta nga qytetarët duhet të jenë zile zgjimi për policinë, por edhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës”, thotë Milliqeviq për Radion Evropa e Lirë.
Përndryshe, fushata e Policisë së Kosovës vjen pas pohimeve gjithnjë e më të shpeshta të qytetarëve dhe aktivistëve në veri, se policia “shkel të drejtat e njeriut” dhe, madje, ka edhe raste të “përdorimit të tepruar të forcës”.
Në fund të tetorit, dy policë të Kosovës u suspenduan me propozim të Inspektoratit Policor, për shkak të dyshimit se, më 26 tetor, kanë keqtrajtuar qytetarin e Mitrovicës së Veriut, Millosh Subotiq.
Për shkak të atij rasti, një grup i organizatave joqeveritare e ndërpreu bashkëpunimin me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit - EULEX, i cili mbikëqyr punën e Policisë në Kosovë.
Grupi u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare dhe misioneve diplomatike që ta adresojnë problemin e sjelljes së policisë në komunat në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe.
Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, Policia e Kosovës thotë se fushata për promovimin e punës së saj do të vazhdojë edhe në ditët në vijim në të gjitha komunat me shumicë serbe në veri - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Qëllimi i saj thuhet se është “ndërtimi i besimit”. /REL