Arrestohet polici “Pablo Escobar”, kishte fshehur 20 milionë euro në muret e shtëpisë

Spanja ka arrestuar një nga oficerët më të lartë të policisë së saj, që po e krahasojnë me bosin famëkeq kolumbian të drogës Pablo Escobarin, pasi në muret e shtëpisë së të tij, u gjetën 20 milionë euro të fshehura si pjesë e goditjes më të madhe në vend kundër kokainës.

Óscar Sánchez Gil ishte deri vonë kreu i departamentit të mashtrimit dhe kundër pastrimit të parave të Policisë Kombëtare Spanjolle në Madrid. Policia e arrestoi atë javën e kaluar së bashku me 15 persona të tjerë, përfshirë partnerin e tij, i cili është gjithashtu një oficer policie në rajonin e Madridit, tha një burim policor në kushte anonimiteti.

Gjatë bastisjes, policia gjeti 20 milionë euro para të gatshme të fshehura në muret dhe tavanet e shtëpisë së çiftit në Alcala de Henares, një qytet me rreth 195,000 banorë që ndodhet 30 kilometra në lindje të kryeqytetit spanjoll.

 

Po ashtu oficerët gjetën në zyrën e tij 1 milion euro, të fshehura në dy kabinete të mbyllura, në kartëmonedha 50-500 euro, sipas burimit policor. Dyshja u akuzuan për trafik droge, pastrim parash, korrupsion dhe anëtarësim në një organizatë kriminale pasi u paraqitën para një gjykate të Madridit javën e kaluar, e cila i la në paraburgim, tha një burim gjyqësor.

Mediat spanjolle thanë se arrestimet ishin të lidhura me kapjen muajin e kaluar të 13 tonëve kokainë që mbërriti në portin jugor të Algeciras nga qyteti më i madh i Ekuadorit Guayaquil, një qendër e trafikut të drogës, e fshehur mes arkave me banane.

Shumat e mëdha të parave të gjetura në shtëpinë e tij e shtynë policinë të krahasonte shtëpinë e tij “me atë të Pablo Escobar”, bosi famëkeq kolumbian i drogës që u qëllua për vdekje nga policia në 1993. /abcnews