Ministri Çeku: Mbrëmë u mbrojt shteti i Kosovës, racizmi nuk ka vend në sport

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka reaguar në rrjetet sociale pas incidentit në ndeshjen e Kosovës në udhëtim te Rumania, e cila u ndërpre në minutat shtesë.

Ndeshja mes Kosovës dhe Rumanisë nuk ka përfunduar si çdo ndeshje, pasi futbollistët dardanët lëshuan fushën në minutat shtesë, kur rezultati ishte 0-0, pasi dëgjuan thirrje raciste dhe ksenofobike si “Serbia, serbia” dhe “Kosova është serbi”.

Pas lëshimit të fushës, futbollistët dhe stafi i Kosovës refuzuar në rikthehen në fushë dhe gjyqtari danez, Morten Krogh, u rikthye me vetëm futbollistët rumunë për të dhënë vërshëllimën e fundit.

Mëngjesin e sotëm (e shtunë) ka reaguar ministri i Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, i cili e ka cilësuar si të papranueshme dhe të trishtë atë që ndodhi në Bukuresht, duke shtuar se dënon çdo formë të racizmit dhe fyerjeve ndaj shtetit tonë.

Shkrimi i plotë i ministrit Çeku:

Mbrëmë u mbrojt shteti i Kosovës. Racizmi nuk ka vend në sport.

E papranueshme dhe e trishtë ajo që ndodhi në Bukuresht në ndeshjen mes Kosovës dhe Rumanisë. Sërish mesazhe politike e brohoritje provokuese nga tifozëria rumune.

Qëndrojmë prapa djemve të Kosovës. Ngjarja e djeshme shkel thellësisht vlerat e sportit, i cili duhet të shërbejë për bashkim dhe jo për nxitjen e urrejtjes dhe përçarjes.

Ne dënojmë çdo formë të racizmit dhe fyerjeve ndaj shtetit tonë dhe apelojmë për masa nga institucionet ndërkombëtare të futbollit, për të mbrojtur integritetin e ngjarjeve sportive dhe për të ruajtur respektin dhe dinjitetin mes shteteve.

Ofrojmë gjithashtu mbështetjen tonë të plotë për Federatën e Futbollit të Kosovës të cilët kanë nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s.