Abdixhiku në Podujevë: Bashkë me ju, ne do ta sjellim ndryshimin e madh

“Emocion i papërshkrueshëm në Podujevën fisnike, në vet zemrën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku Turneu i Ndryshimit e vazhdoi rrugëtimin drejt ëndrrës së madhe për Kosovën që na bashkon!”.

Kështu e përshkroi tubimin e sotëm të LDK-së në Podujevë, kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku.

Postimi i plotë:

Emocion i papërshkrueshëm në Podujevën fisnike, në vet zemrën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku Turneu i Ndryshimit e vazhdoi rrugëtimin drejt ëndrrës së madhe për Kosovën që na bashkon! Faleminderit doktorit, Ekrem Hyseni, kryetarit të degës tonë atje dhe secilit prej jush për gjithë këtë entuziazëm e motivim që na dhanë sonte në Llap.

Prapa dorështrëngimeve të shumta, buzëqeshjeve plot shpresë, dhe thirrjeve tuaja të njëzëshme shkëlqen dëshira e zjarrtë për ndryshimin e madh që do ta sjellim bashkë. Sepse Podujeva nuk e pret ndryshimin të vijë - ajo don ta udhëheqë atë!

Nga Prishtina në Viti, nga Peja në Shtime, e sonte këtu në Podujevë - momentumi i Lidhjes është i pamohueshëm! Është i padiskutueshëm! Sepse këtu ne po qëndrojmë si një, të bashkuar rreth një vizioni unik: atij për Kosovën ku familjet kanë mirëqenie, ku rinia i realizon ëndrrat dhe potencialin e plotë, dhe ku secili komunitet jeton me krenari. Sepse ky turne nuk përbëhet vetëm nga tubime të zakonshme politike - por është tashmë një lëvizje në rritje! Një Lidhje plot shpresë, krenari dhe vendosmëri, e ngjizur nga ëndrrat dhe idealet e qytetarëve tanë të mrekullueshëm që duan dhe meritojnë ndryshim!

Podujevë, energjia juaj është zemra e Lidhjes sonë. Bashkë me ju, ne do ta sjellim ndryshimin e madh sepse të ardhmen nuk po e imagjinojmë më - atë po e ndërtojmë në ditë si kjo!

Me 9 shkurt, le të bashkohemi edhe një herë si kurrë më parë për Kosovën që duam. Me 9 shkurt - BËHU NDRYSHIMI!