Abdixhiku falënderon komunat: E detyruan Qeverinë të ndryshojë pozicion për edukimin seksual
Kryetari i LDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku, ka falënderuar publikisht nëntë komunat e udhëhequra nga partia e tij për, siç tha, refuzimin pa hezitim të përmbajtjes së teksteve të “Edukatës Seksuale”, “duke detyruar Qeverinë të ndryshojë plotësisht qëndrimin”.
Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se presioni institucional dhe reagimi i qytetarëve detyruan qeverinë të tërhiqej nga mbrojtja e teksteve në Kuvend dhe t’i anulonte plotësisht ato, raporton Zeri.info.
Postimi i plotë:
Dua të shpreh falënderim publik e mirënjohje të 9 komunave të udhëhequra nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që refuzuan pa hezitim përmbajtjen e teksteve të Edukatës Seksuale - dhe kështu detyruan Qeverinë të ndryshoj pozicion radikalisht! Nga insistimi mbrojtës i përmbajtjes së teksteve në Kuvend, tek tërheqja e plotë e tyre!
Mirënjohje Prishtinës, Pejës, Lipjanit, Istogut, Vitisë, Fushë Kosovës, Obiliqit, Junikut e Dragashit!
Falënderoj dhe qytetarët e Kosovës për reagimin e shpejtë e të vendosur; dhe kështu bërjen qartë të orientimit të popullit të Kosovës.
Pas 9 shkurtit, si Qeveri e Ndryshimit, do të përmirësojmë përmbajtjen e teksteve në fjalë në nivel nacional! Si parti e qendrës së djathtë, familja dhe fëmija do të jenë dhe të mbrojtur dhe të përkujdesur!