Pas varrimit të dy të rinjve, hoxhë Kryeziu thirrje qytetarëve: Edukoni fëmijët larg dhunës, pa armë!

Pas varrimit të Albison dhe Rexhep Slivovës, të cilët u vranë ditën e mërkurë me armë zjarri në një lokal në qendër të Klinës, hoxha Xhevat Kryeziu ka adresuar një apel për qytetarët që edukojnë fëmijët për një jetë pa dhunë dhe pa armë.

“Ne sot morëm pjesë në një varrim të dy djemve të rinj, që fatkeqësisht vdekja e tyre ishte e dhimbshme, e rëndë e motivuar. Por apeloj te populli shqiptar që t’i edukojmë fëmijët tanë, familjet tona, njerëzit tanë që të mos vijmë te më e keqja se vetëm Zoti ka të drejtë të marrë shpirt, ne të tjerët nuk kemi të drejtë. Unë kam ndërmjetësuar parmbrëmë, kam qenë tek familja Slivova, një familje e fortë, ka qenë një pritje e jashtëzakonshme. Kemi filluar që ta normalizojmë situatën, që t’i ftohim gjakrat. Dhe po shpresojmë që në këtë familje do të jemi të shohim se çka do bëjmë”, tha hoxhë Kryeziu.

Hoxhë Kryeziu ka thënë se pavarësisht së gjakmarrja është ndalur, rastet e vrasjeve nuk po ndalen.

“Unë vij nga lëvizja e pajtimit të gjaqeve, këto 35 vjet jemi marrë me këtë fenomen, por fatkeqësisht që nuk po ndalen rastet. Por kemi arritur të bëjmë një punë të madhe dhe e kemi ndalur gjakmarrjen. Kemi punuar të mos bëhet hakmarrje. Vrasjet po bëhen, por gjakmarrjet s’po bëhen. Kështu që urojmë që i madhi Zot të na ndihmoj që të mos kemi as gjakmarrje, as vëlla vrasje se na duhet jeta, na duhet bashkimi. Vetëm kur jemi të bashkuar arrijmë synimet tona, qëllim tonë, në këtë rrugëtim të shtetndërtimit tonë. Vetëm kur jemi të bashkuar, kur jemi unikë është arritja dhe fitorja jonë”, tha ai.