Komuna akuzon Ministrinë e Kulturës për prerjen e pishave shumëvjeçare te Teatri Kombëtar

Komuna e Prishtinës ka reaguar pas prerjes e disa pishave shumëvjeçare që ishin rreth objektit të Teatrit Kombëtar, i cili është duke u rinovuar.

Komuna e ka dënuar aktin, ndërsa ka akuzuar Ministrinë e Kulturës se ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme, transmeton Zeri.info.

Reagimi i plotë nga Komuna e Prishtinës:

Komuna e Prishtinës dënon ashpër aktin e papranueshëm dhe të dëmshëm nga Ministria e Kulturës. Pishat shumëvjeçare, të cilat ishin një element i rëndësishëm i hapësirës përreth Teatrit Kombëtar, janë shkatërruar pa lejen e Komunës dhe pa njoftuar asnjë autoritet përgjegjës.

Për më tepër, Ministria e Kulturës ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme, pa marrë asnjë ekspertizë paraprake ose analizë të ndikimit mjedisor përpara fillimit të punimeve. Ministria e Kulturës duhet të mbajë përgjegjësi dhe të marrë masa për të ndaluar veprime të tilla dhe për të kompensuar dëmet që janë shkaktuar!