Haradinaj: Doracaku i “Edukimit Seksual”, sulm ndaj familjes, nuk zbatohet në komunat e AAK-së

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj doracakut të “Edukimit Seksual”, duke e cilësuar atë si sulmin më të madh ndaj familjes dhe vlerave kombëtare.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj është shprehur se kjo nuk do të kalojë, jo vetëm në komunat e udhëhequra nga AAK-ja, por siç u shpreh ai, askund në Kosovë.

“Nuk ka e as që mund të ketë sulm më të madh ndaj familjes e vlerave kombëtare, se sa Doracaku i edukatës seksuale, i hartuar nga Qeveria e Albin Kurtit.   Pas dështimeve në rrafshin politik e diplomatik, në politikën e brendshme e të jashtme, pas izolimit ndërkombëtar të Kosovës e pas vënies së vendit nën sanksione, tash bateritë e tij i ka kthyer mbi familjen, si themel jo vetëm të shtetit por edhe të traditës e qenësisë sonë”.

“Por, kjo nuk do të kalojë, jo vetëm në komunat e udhëhequra nga Aleanca, të cilave u kam kërkuar ta hedhin poshtë këtë paçavure si doracak, po askund në Kosovë. Familja jonë ka themele të lashta që nuk lëkunden kollaj, aq më pak nga ata që përditë e më shumë po identifikohen si antikombëtar”, ka shkruar Haradinaj.