KOMF: S’duhet të lejojmë asnjë lëvizje që synon largimin e edukatës seksuale nga shkollat tona
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë përmes një komunikate për media është shprehur se edukata seksuale është një pjesë thelbësore e zhvillimit dhe mirëqenies së fëmijëve dhe të rinjve, që sipas këtij koalicioni, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në shëndetin e tyre fizik, emocional dhe mendor.
KOMF tha se një edukim i tillë është vendimtar për t’i ndihmuar ata të kuptojnë ndryshimet trupore, marrëdhëniet, përgjegjësitë dhe kufijtë personalë, duke rritur mundësinë e mbrojtjes nga rreziqet dhe duke i fuqizuar ata për të bërë zgjedhje të shëndetshme dhe të informuara.
“Në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, veçanërisht Nenin 17 i cili kërkon që shtetet të sigurojnë qasje për fëmijët në informacione dhe materiale nga burime të ndryshme për përfitimin e tyre shoqëror dhe moral, edukata seksuale përbën një të drejtë të garantuar për fëmijët. Gjithashtu, Neni 19 kërkon që shtetet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur fëmijët nga çdo formë e dhunës dhe abuzimit, duke përfshirë masat edukative për t’i ndihmuar ata të jenë të informuar dhe të mbrojtur”.
“Në këtë drejtim, KOMF mbështet Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për integrimin e edukatës seksuale në arsimin parauniversitar në Kosovë. Ky integrim reflekton edhe obligimet që burojnë nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës në Kosovë, ku në Nenin 7 përcaktohet e drejta e çdo fëmije për mbrojtje nga çdo formë dhune, abuzimi dhe shfrytëzimi, si dhe e drejta për qasje në arsimim gjithëpërfshirës dhe cilësor, përfshirë edukatën shëndetësore dhe seksuale”.
“Për më tepër, përfitimet e edukatës seksuale në shkolla janë të shumta dhe përfshijnë parandalimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, parandalimin e shtatzanive të pa dëshiruara, parandalimin e aborteve, parandalimin e braktisjes së fëmijëve, parandalimin e martesave të hershme, etj”, thuhet në njoftim.
Ky koalicion ka thënë se duke parë rëndësinë e edukatës seksuale tek fëmijët si dhe çështjet e ngritura ditëve të fundit, kërkojnë rishikimin dhe redaktimin e teksteve, doracakëve si dhe çdo materiali tjetër që kontribuon në arritjen e rezultateve në këtë fushë.
Por, sipas KOMF nuk duhet të lejohet asnjë lëvizje që synon largimin e edukatës seksuale nga shkollat tona.
“Në këtë mënyrë do të eliminohen edhe mundësitë për keqkuptime dhe interpretime të ndryshme tek profesionistët që zbatojnë këto materiale. Gjithashtu, është e rëndësishme që tekstet, doracakët dhe materialet të jenë të qasshme edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke përfshirë udhëzime të përshtatura dhe materiale të qasshme për ta”.
“Një veprim i tillë jo vetëm do të nënkuptonte mohim të së drejtës themelore të secilit fëmijë për të qenë i informuar dhe i mbrojtur, por edhe do të na largonte nga parimet e Bashkimit Evropian. Si shoqëri, nuk duhet të lejojmë që fëmijët tanë të privohen nga e drejta për informim dhe për parandalim të dhunës dhe abuzimit seksual. Një edukim i bazuar mbi të drejtat e njeriut dhe shëndetin seksual është thelbësor për t’i përgatitur ata për marrëdhënie të sigurta, si dhe për të krijuar një bazë për zhvillimin e shëndetshëm emocional dhe social të tyre”, thuhet tutje në njoftim.