Jack Smith planifikon të japë dorëheqjen para se Presidenti i zgjedhur Trump të fillojë mandatin

Prokurori i Posaçëm Jack Smith dhe anëtarët e ekipit të tij planifikojnë të japin dorëheqjen para se Presidenti i zgjedhur Donald Trump të fillojë mandatin, njoftoi të mërkurën gazeta amerikane ‘The New York Times’, duke përmendur disa burime.

Prokurori Smith hetoi dy çështje kundër zotit Trump, njërën mbi dokumentet sekrete të cilat zoti Trump i mori në Mar-a-Lago pasi përfundoi mandatin dhe një tjetër rreth përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Një gjykatës federal në Florida hodhi poshtë rastin për dokumentet në muajin korrik. Departamenti i Drejtësisë tani po shqyrton se si ta mbyllë çështjen e zotit Smith mbi që lidhet me zgjedhjet.

Zoti Trump, i cili i ka mohuar akuzat për të dyja rastet, deklaroi muajin e kaluar se ai do ta shkarkonte prokurorin Smith brenda “dy sekondash” pasi të fillonte mandatin.

Departamenti i Drejtësisë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për të komentuar mbi këto zhvillime.

Synimi i zotit Smith është që të mos lërë që pjesë të rëndësishme të përgjegjësive të tij t’i përfundojnë të tjerët, sipas gazetës ‘The New York Times’./VOA