Emërllahu para ndeshjes ndaj Rumanisë: S’ia kemi frikën askujt, do të hyjmë për fitore

Mesfushori i Kosovës, Lindon Emërllahu, ka folur para ndeshjes ndaj Rumanisë, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Emërllahu u shpreh se nuk ia kanë frikën asnjë ekipi dhe se do të hyjnë në fushë vetëm për fitore.

“Po besoj që atmosfera është mjaft në ekip, siç po e shihni edhe ju, jemi përgatitur mjaft mirë për këtë ndeshje, secili lojtar e di rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Besoj që të do futemi në lojë vetëm për tri pikë. Besoj që me prurjet e reja të cilat janë dhe besoj që secili lojtar mund ta tregojë veten në këto dy ndeshje, të cilat i kemi. E dimë që Rumania e ka një ekip mjaft të mirë dhe është në vendin e parë po ashtu ne nuk kemi frikë nga asnjë ekip dhe e kemi një ekip mjaft të mirë dhe do të hyjmë vetëm për fitore, siç thashë edhe më herët”, është shprehur Emërllahu.

Kosova renditet në vendin e dytë në tabelë me nëntë pikë, kurse Rumania është lidere me 12 sosh.

Ndeshja Rumani – Kosovë do të luhet të premten në stadiumin “Arena Nationala” në Rumani, duke filluar në orën 20:45. /Zëri