Refuzohet kërkesa për shpërbërjen e Kuvendit në Gjilan, LDK-ja thirrje kryetarit për veprim në interes të qytetarëve
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka refuzuar kërkesën e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për shpërbërjen e Kuvendit të Komunës dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Vendimi u mor pas shqyrtimit të kërkesës, të cilën MAPL-ja e cilësoi si të papajtueshme me ligjin.
Ndaj këtij zhvillimi ka reaguar asamblisti i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gentrit Murseli, i cili thekson rëndësinë e përgjegjësisë dhe thirrjen për veprime të menjëhershme në interes të përgjithshëm.
“Kryetar, ky është apel publik! Për hir të qytetarëve, pranoni shqyrtimin e kërkesave të partive opozitare dhe ofroni një zgjidhje për dalje nga kjo situatë që nuk i sjell dobi askujt”, shkroi Murseli.