Çeku: Brenda pesë vjetësh do të ndërtohen dhe rinovohen 27 stadiume

Brenda pesë vjetëve të ardhshëm në Kosovë planifikohet të ndërtohen dhe rinovohen 27 stadiume, duke përfshirë edhe stadiumin nacional.

Ky është plani që e ka zbuluar ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku.

 

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Çeku ka thënë se është arritur marrëveshja me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), UEFA-n, FIFA-n dhe 16 komuna të Kosovës për zbatimin e këtij projekti, në mënyrë që Kosova të jetë gati me infrastrukturë sportive për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.

 

Në kuadër të planifikimeve që do të ndërtohen dhe rinovohen janë, si; stadiumi i qytetit në Ferizaj, stadiumi i qytetit Pejë, stadiumi “Përparim Thaçi” në Prizren, Parku dhe Palestra e sportit, Gjilan, stadiumi i qytetit Suharekë, Pishina gjysmë-olimpike në Podujevë, Stadiumi i qytetit të Gjilanit, zgjerimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, Palestrat e xhudos (doxho) në qendrat nacionale, pastaj stadiumi i Atletikës në Kamenicë, Palestra e gjimnastikës në Fushë-Kosovë, si dhe Stadiumi i Qytetit në Rahovec.