Zgjedhjet parlamentare në shkurt, KQZ-ja publikon listën me 941 qendra votimi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është publikuar lista me 941 qendra të votimit për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Sipas vendimit të KQZ-së, numri i Qendrave të Votimit në 38 komuna të Republikës së Kosovës ku do të zhvillohet procesi i votimit është 941, prej të cilave 38, nga një e tillë për çdo komunë, do të shërbejnë vetëm për votimin me kusht.
Lista e Qendrave të Votimit është publikuar në ueb faqen e KQZ-së: Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për Votuesit > Qendrat e Votimit, ose në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/qendrat-e-votimit/
Të gjithë shtetasit e Kosovës me të drejtë vote, mund ta mësojnë qendrën e tyre të votimit përmes platformës elektronike: https://qv.kqz-ks.org
Përmes të njëjtës platformë elektronike, deri më 26 dhjetor 2024 qytetarët me të drejtë vote mund ta ndërrojnë qendrën e tyre të votimit, duke e caktuar sa më afër vendbanimit të tyre. /Zëri