Bedri Hamza takon “esnafët” e Prizrenit: Do ta heqim pagesën në kufi për TVSH-në

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar takuar përfaqësuesit e bizneseve në shoqatën “Esnaf” në Prizren, me të cilët ka diskutuar për programin e tij ekonomik dhe lehtësirat në të bërit biznes në vend.

Hamza u premtoi atyre se shqetësimin e kamotshëm të bizneseve, praktikën e pagesës së TVSH-së në kufi do ta ndryshojë gjatë qeverisjes së tij.

“Bizneset nuk do të detyrohen t’i paguajnë në avancë obligimet e tyre, por do t’u krijohen mundësi të zhvillohen dhe t’i kryejnë obligimet tatimore kur t’i shesin produktet e tyre. Këtë barrë tatimore do t’ua heqim të gjitha bizneseve që importojnë në Kosovë”, tha Hamza.

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës është zotuar se me programin e tij qeverisës Kosova mundet ma mirë për ekonominë, për bizneset dhe të gjithë punëtorët e sektorit privat e publik në Kosovë.