Kurti për opozitën dhe Kushtetuesen: Urojmë të ndërpritet avazi i bllokimit të reformave pozitive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës ka folur për Fondin Sovran.

Kryeministri theksoi se muajin tjetër bëhet një vit prejse Ligji i Fondit Sovran është në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Kurti ka thënë se shpreson që paralajmërimet e opozitës që ky Ligj do të rrëzohet nga Kushtetuesja të mos dalin të sakta.

“Urojmë që paralajmërimet opozitare se Gjykata Kushtetuese do ta hedhë poshtë ligjin tonë për Fondin Sovran, sipas informacioneve të tyre të brendshme, të mos dalin të sakta”, tha Kurti.

Ai shtoi se urojnë gjithashtu që ky avaz i bllokimit të reformave pozitive të ndërpritet.

“Urojmë që të ndërpritet ky avazi i bllokimit të reformave pozitive e progresiste siç ndodhi me Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligjin për KPK-në, Ligjin për çmimet tavan për produktet bazë etj”, ka thënë KurtI.

Kryeministri shtoi se në shkurt të vitit 2022, Qeveria kishte miratuar koncept-dokumentin për Fondin Sovran që propozon rrugën e veçantë qe duhet të ndjek ky fond.

“Kanë kaluar një vit e gjysmë që kemi miratuar në qeveri Projektligjin që i hap rrugë themelimit të Fondit Sovran, kurse në dhjetor të 2023 kemi miratuar në Kuvend Ligjin për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës”, u shpreh Kurti.

Ai tha se çdo dit që po kalon është kohë e humbur meqenëse po pengohet shteti jonë në një kohë të ndryshimeve dhe mundësive të mëdha në ekonominë botërore, teksa ne shënojmë rritjen më të madhe ekonomike.

“Fondi është jetik për rritjen ekonomike, shtimin e investimeve dhe pasurimin e strukturës së investimeve”, tha Kurti.