“Armatim modern e pajisje të avancuara”, krejt ç’tha Kurti për investimet në ushtri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar si një sukses të jashtëzakonshëm ushtrimin ushtarak “Ujku i Çeliktë”, i cili u realizua dje me pjesëmarrjen e mbi 1000 ushtarakëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).

Sipas tij, ky është ushtrimi më i madh dhe më i sofistikuar që ka realizuar FSK-ja deri më tani dhe një shembull i përkushtimit të Kosovës në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.

Kryeministri Kurti theksoi se pajisjet, të cilat përputhen me standardet e NATO-s, janë rezultat i një strategjie të detajuar të investimeve në fushën e mbrojtjes, të cilat janë realizuar për të përforcuar kapacitetet mbrojtëse të Kosovës.

Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi gjithashtu se buxheti për ushtrinë është trefishuar, ndërsa numri i ushtarëve është dyfishuar, duke u përqendruar edhe në trajnimin intensiv të ushtarëve tanë, i cili është katërfishuar. Ai nënvizoi se ky investim masiv në armatim dhe trajnimin e personelit ushtarak është një hap i rëndësishëm për rritjen e sigurisë në vend dhe përgatitjen e FSK-së për sfida të mundshme në të ardhmen.

Kurti përfundoi duke theksuar se më shumë investime në ushtri do të thotë më shumë siguri për qytetarët e Kosovës. Ai shprehu besimin se, me përkushtimin dhe gatishmërinë e ushtarëve dhe oficerëve të FSK-së, e ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta dhe të forta.

“Një element tjetër i rëndësishëm i këtij ushtrimi është përdorimi i pajisjeve dhe armatimit modern, të cilat janë blerë dhe integruar në flotën tonë në këto vitet e fundit. Këto pajisje dhe ky armatim i blerë sipas standardeve të NATO-së, janë produkt i një strategjie të detajuar të investimeve tona në fushën e mbrojtjes. Armatimet e reja të cilat përfshijnë pajisje të avancuara dhe të sofistikuara luftarake, janë dëshmi e qartë e vendosmërisë sonë për të modernizuar dhe për ta përgatitur ushtrinë tonë të përballojë çdo lloj kërcënimi, skenari dhe sfide që mund të paraqitet në këtë kohë të brishtë të sigurisë globale.

Ky ushtrim na tregoi se Forca e Sigurisë së Kosovës është mburojë e vendit tonë, por edhe një partner i besueshëm për paqen dhe sigurinë rajonale, për aleatët e Kosovës. Ushtria jonë ka treguar bashkëpunim dhe bashkërendim të shkëlqyeshëm me partnerët tanë strategjikë, duke dëshmuar aftësitë tona për ndërveprueshmëri, dhe duke përmbushur detyrat komplekse me efikasitet të plotë”, tha Kurti ndër të tjera.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani – Sadriu,

I nderuar ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,

I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari,

Të nderuar zëvendësministra, Shemsi Syla dhe Adnan Redzeplar,

Të nderuar deputetë të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes,

Të dashur ushtarakë të ushtrisë sonë: ushtarë, nënoficerë dhe oficerë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Jam shumë i lumtur të dëshmoj duke qenë mes jush këtu në Babaj të Bokës, përparimin e madh të ushtrisë së Kosovës, në një kohë rekord. Më lejoni që nga këtu t’ua them që ndjehem shumë krenar sa herë që ndodhem së bashku me ju dhe në mesin tuaj, sikur sot në këtë ushtrim i cili si i tillë është më i madhi dhe më i sofistikuari i realizuar ndonjëherë nga Forca e Sigurisë së Kosovës, me pjesëmarrjen e mbi 1000 ushtarakëve.

Ky ushtrim përfaqëson më shumë se një testim të kapaciteteve tona mbrojtëse, sikurse edhe u dëshmua sot dhe paraqet tregues të qartë të përkushtimit, guximit dhe profesionalizimit të ushtrisë sonë.

E veçanta e këtij ushtrimi është se pikërisht këtu, bëhet validimi i regjimentit të dytë të këmbësorisë të FSK-së, duke konfirmuar zhvillimin dhe forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë sonë drejt standardeve më të larta ndërkombëtare. Validimi i këtij regjimenti, është tregues i qëndrueshmërisë dhe përcaktimit tonë për t’i forcuar kapacitetet tona mbrojtëse, të cilat patjetër që garantojnë sigurinë dhe paqen në vendin tonë.

Në këtë terren këtu, në zonën e Gjakovës, ju jeni duke u stërvitur dhe dëshmuat në provë shkathtësitë operacionale, strategjitë dhe taktikat luftarake për të qenë të gatshëm dhe të aftë të mbrohet paqja dhe liria, e cila është arritur me aq shumë gjak dhe djers. Po ashtu, edhe të garantojmë që e kaluara jonë e dhimbshme nuk do të na përsëritet më asnjëherë.

Një element tjetër i rëndësishëm i këtij ushtrimi është përdorimi i pajisjeve dhe armatimit modern, të cilat janë blerë dhe integruar në flotën tonë në këto vitet e fundit. Këto pajisje dhe ky armatim i blerë sipas standardeve të NATO-së, janë produkt i një strategjie të detajuar të investimeve tona në fushën e mbrojtjes. Armatimet e reja të cilat përfshijnë pajisje të avancuara dhe të sofistikuara luftarake, janë dëshmi e qartë e vendosmërisë sonë për të modernizuar dhe për ta përgatitur ushtrinë tonë të përballojë çdo lloj kërcënimi, skenari dhe sfide që mund të paraqitet në këtë kohë të brishtë të sigurisë globale.

Ky ushtrim na tregoi se Forca e Sigurisë së Kosovës është mburojë e vendit tonë, por edhe një partner i besueshëm për paqen dhe sigurinë rajonale, për aleatët e Kosovës. Ushtria jonë ka treguar bashkëpunim dhe bashkërendim të shkëlqyeshëm me partnerët tanë strategjikë, duke dëshmuar aftësitë tona për ndërveprueshmëri, dhe duke përmbushur detyrat komplekse me efikasitet të plotë.

Sot derisa ju shoh kështu të përkushtuar, të përgatitur e kaq të aftë dhe të gatshëm për ta mbrojtur atdheun, ju them me bindje të plotë se ju jeni frymëzim për të gjithë ne. Gjithashtu jeni garanci e pathyeshme se e ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta.

Për ushtrim, e në ushtrimin më të madh të NATO-s “Defender Europe 2025”, kësaj radhe jo vetëm si pjesëmarrës, por edhe si nikoqir, dëshmuam që po bëhemi gati me zell të madh e me disiplinë të lartë.

Ushtrimi “Ujku i Çeliktë” nuk është thjeshtë një ushtrim i radhës, por një ushtrim që tregon shpirtin tuaj luftarak për të përballuar sfidat e nga sfidat ju gjithnjë keni dalë më të përgatitur e më të fortë, ashtu siç ka dalur edhe populli, shoqëria dhe kombi ynë. Sfidat na kanë kalitur e na kanë formësuar, por kurrë nuk na kanë mposhtur e kurrë nuk do të na mposhtin përderisa do të kemi vajza e djem sikur ju që dashurinë për atdheun e kanë mbi gjithçka e mbi çdo gjë, duke e bërë bashkë atë me profesionalizëm, përkushtim dhe guxim.

Më shumë investim në ushtri, do të thotë më shumë siguri për gjithë qytetarët, pa dallim. Andaj, buxhetin për ushtrinë e kemi trefishuar, numrin e ushtarëve e kemi dyfishuar, trajnimet e ushtarakëve tanë jashtë vendit i kemi katërfishuar. Rritja e dukshme e buxhetit dhe investimi në përgatitje të personelit ushtarak është e shoqëruar me shumëfishim të investimeve në armatim.

Në përfundim më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë dhe t’iu përgëzojë për punën e palodhur të çdo ushtari dhe të çdo oficeri që është angazhuar në përgatitjen dhe realizmin e këtij ushtrimi.

Ju falënderoj që mbani lart nderin dhe krenarinë e vendit tonë me angazhimin tuaj edhe të përhershëm edhe të sinqertë. Ju jeni dalzotësit e atdheut dhe mburoja më e mirë e më e fuqishme për Republikën e Kosovës.

Andaj le të vazhdojmë të punojmë së bashku për një Kosovë të paqësore, të sigurtë, të zhvilluar, demokratike dhe mbi të gjitha për një Kosovë prosperuese e me të ardhme të ndritshme.

Ju faleminderit dhe ju lumtë!. /Zëri