MASHTI mohon në tërësi ekzistencën e tekstit kontroverzal në kurrikulë, thotë se lënda “edukimi seksual” s’është obligative

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Taulant Kelmendi, ka mohuar raportimet lidhur me një tekst shkollor që pretendohej se është në kuadër të Kurrikulës së Arsimit Parauniversitar, i cili u bë debat publik.

Kelmendi, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka mohuar në tërësi ekzistencën e këtij shkrimi dhe ka thënë se s’e di asnjë rast të vetëm të aplikimit të atij aktiviteti. Në bazë të raportimeve në media, në këtë aktivitet kërkohej që dy nxënës, në kuadër të lëndës edukimi seksual, të preknin njëri-tjetrin symbyllurazi dhe të tregonin se çfarë kanë ndjerë, shkruan Insajderi.

“Teksti i përmendur nuk gjendet askund në Kurrikulën e Arsimit Parauniversitar të miratuar në vitin 2016. Kurrikula nuk ka ndryshuar në 2021 as në 2023, siç po thuhet. Teksti i përmendur nuk gjendet as në tekstet shkollore dhe as nuk është tekst i veçantë shkollor, siç po thuhet”, ka thënë ndër të tjera numri dy i dikasterit të Arsimit.

“I gjithë diskutimi po bëhet për një manual të zhvilluar nga Fondi për Popullsinë e Kombeve të Bashkuara – UNFPA si nismë e filluar në vitin 2016. Edhe pse ky dokument nuk ka asnjë karakter obligativ, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është e gatshme të rishikojë çdo pjesë ku përmbajtja nuk përputhet me standardet e përshtatshme për edukimin e fëmijëve”, vijon tutje shkrimi i tij.

Sipas tij, nuk ka asnjë rast në arsimin parauniversitar që është praktikuar përshkrimi i aktivitetit që u raportua në media.