Blonden: Belgjika do të vijojë mbështetjen e Kosovës në integrimin evropian

Zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Integrim Evropian, Fjolla Ujkani, e shoqëruar nga deputetja Time Kadrijaj, anëtare e këtij komisioni, pritën sot në takim senatorin belg Vincent Blonden, me të cilin u diskutua për raportet ndër parlamentare, si dhe mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.

Kuvendi i Kosovës njofton se gjatë takimit, i cili u zhvillua në frymën e një bashkëpunimi shumë miqësor, zëvendëskryetarja e komisionit Ujkani, e falënderoi Blondenin për përkrahjen e vazhdueshme që Belgjika po ia jep Kosovës dhe e njoftoi atë me punën dhe sfidat e Komisionit për Integrim Evropian.

Duke folur për angazhimet dhe objektivat shtetërore të Kosovës, ndërkaq Ujkani u shpreh: “Kosova nuk ka rrugë tjetër përpos anëtarësimit në KIE, BE e në NATO, andaj përkushtimi ynë i përditshëm është që kjo të arrihet sa më parë”.

Për arritjen dhe përmbushjen në tërësi të këtyre aspiratave, Ujkani kërkoi që shteti belg të jetë edhe më tej mbështetës i qëllimeve shtetërore të Kosovës.

Deputetja Time Kadrijaj, ndërkaq, pasi falënderoi Blondenin dhe shtetin që ai përfaqëson për mbështetjen e gjertanishme, po ashtu nënvizoi se për arritjen e qëllimeve politike që ka vendi ynë, përfaqësuesit kosovarë janë dhe do të mbeten përherë të unifikuar.

Senatori Blonden, ndërkaq, tha se Belgjika do të vijojë mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe vlerësoi po ashtu se takimi i sotëm është në kuadër të një informimi më gjithëpërfshirës lidhur me aspiratat e shtetit të Kosovës.