Kurti në sesionin e ARE-së: Kosova synon të aplikojë sërish për anëtare me të drejta të plota

Në Kuvendin e Kosovës sot filluan punimet e sesionit të 36-të Asamblesë Rajonale të Evropës (ARE) të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, në të cilat mori pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si folës kyç.

Nga viti 2022 Kuvendi i Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë.

“… Në Kosovë ky parlament simbolizon një përpjekje të gjatë për liri, drejtësi dhe barazi. Mund të tingëllojë e çuditshme të dëgjoni se sot jemi vetëm një çerekshekulli nga çlirimi i Kosovës dhe më pak se 17 vjet nga pavarësia e vendit tonë.

Andaj, duke ju drejtuar këtu, ku shumica prej nesh kanë ende një kujtim të freskët të viteve të errëta të fundshekullit XX, dëshiroj të theksoj se demokracia, të drejtat themelore të njeriut dhe paqja, nga të cilat ne të gjithë ishim të privuar në atë kohë, kanë sot një kuptim shumë të çmuar për neve.

Ndër këto vlera fundamentale, më lejoni të nënvizoj se edhe pse popullsia e Kosovës është rreth 93% shqiptare, vendi ynë jetëson një shkallë të lartë respekti për shumëgjuhësinë dhe multikulturalizmin, e cila është e ngërthyer në kushtetutën tonë dhe vërehet në çdo ligj shtetëror, ndërsa 20 nga 120 ulëse në Kuvend janë të rezervuara për pakicat etnike. Rrjedhimisht, Kosova është një vend ku mund të gjenden vlerat rrënjësore që i ndajmë me botën e frankofonisë”, theksoi Kurti.

Ai tha se përkundër dëshirës për t’u avancuar nga anëtare e asociuar në anëtare të plotë të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, Kosova ende nuk ka mundur t’i përmbushë të gjitha detyrat e nevojshme për të fituar këtë status.

“Samiti i fundit i mbajtur në Francë tetorin e kaluar, dhjetë vjet pasi Kosova u bë anëtare vëzhguese, ishte gjithsesi një moment i rëndësishëm në rrugën tonë drejt vlerave përbërëse të organizatës.

Natyrisht, është e kuptueshme që jo gjithçka varet nga vendimet e Kosovës, duke pasur parasysh që duhet të ketë edhe disa vlerësime politike që lidhen me kriteret e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Dhe në këtë drejtim të gjithë i dimë veçoritë historike dhe të sigurisë mbi sfidat që prekin të gjithë rajonin, përkundër gatishmërisë së dëshmuar të Kosovës për të kontribuuar në të gjitha aspektet e bashkëpunimit rajonal”, tha kryeministri.

Kurti tutje tha se potenciali i plotë i zhvillimit të mësimit të frëngjishtes në Kosovë mbetet ende i pashfrytëzuar.

“Prandaj, në pritje të samitit të ardhshëm të vitit 2026, kur Kosova synon të aplikojë sërish për marrjen e statusit të anëtarit me të drejta të plota, Qeveria jonë dhe komunat e Kosovës duhet të fillojnë të punojnë së bashku për të gjetur një mënyrë për të adresuar rënien e orëve të mësimit të gjuhës frënge në mbarë vendin. Ky duhet të jetë hapi i parë duke e ditur që mund të llogarisim në përkrahjen e Institutit francez të Kosovës të porsaformuar në Prishtinë, për të identifikuar së bashku mënyrat më praktike dhe efektive të suksesit”, tha Kurti.

Fjalimi i plotë i Kurtit:

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca,

Të nderuar deputetë të Kuvendit,

E nderuara delegate rajonale për Evropën e Asamblesë Parlamentare Frankofone, znj. Anne Lambelin, dhe të gjithë anëtarët e delegacionit tuaj,

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe zotërinj,

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë t'ju mirëpres e t’ju bashkohem këtu në tempullin e demokracisë sonë. Në vendin tim, si në tuajin, parlamenti simbolizon luftën tonë të përbashkët për të mbrojtur parimet që burojnë nga modeli më i mirë i shoqërisë që ka ekzistuar ndonjëherë, pra demokracia.

Por, më shumë se kaq, në Kosovë ky parlament simbolizon një përpjekje të gjatë për liri, drejtësi dhe barazi. Mund të tingëllojë e çuditshme të dëgjoni se sot jemi vetëm një çerekshekulli nga çlirimi i Kosovës dhe më pak se 17 vjet nga pavarësia e vendit tonë.

Andaj, duke ju drejtuar këtu, ku shumica prej nesh kanë ende një kujtim të freskët të viteve të errëta të fundshekullit të XX-të, dëshiroj të theksoj se demokracia, të drejtat themelore të njeriut dhe paqja, nga të cilat ne të gjithë ishim të privuar në atë kohë, kanë sot një kuptim shumë të çmuar për neve. Ndër këto vlera fundamentale, më lejoni të nënvizoj se edhe pse popullsia e Kosovës është rreth 93% shqiptare, vendi ynë jetëson një shkallë të lartë respekti për shumëgjuhësinë dhe multikulturalizmin, e cila është e ngërthyer në kushtetutën tonë dhe vërehet në çdo ligj shtetëror, ndërsa 20 nga 120 ulëse në Kuvend janë të rezervuara për pakicat etnike. Rrjedhimisht, Kosova është një vend ku mund të gjenden vlerat rrënjësore që i ndajmë me botën e frankofonisë.

Megjithëkëto, më duhet të vë në pah se, përkundër dëshirës për t'u avancuar nga anëtare e asociuar në anëtare të plotë të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, Kosova ende nuk ka mundur t'i përmbushë të gjitha detyrat e nevojshme për të fituar këtë status. Samiti i fundit i mbajtur në Francë tetorin e kaluar, dhjetë vjet pasi Kosova u bë anëtare vëzhguese, ishte gjithsesi një moment i rëndësishëm në rrugën tonë drejt vlerave përbërëse të organizatës.

Natyrisht, është e kuptueshme që jo gjithçka varet nga vendimet e Kosovës, duke patur parasysh që duhet të ketë edhe disa vlerësime politike që lidhen me kriteret e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Dhe në këtë drejtim të gjithë i dimë veçoritë historike dhe të sigurisë mbi sfidat që prekin të gjithë rajonin, përkundër gatishmërisë së dëshmuar të Kosovës për të kontribuar në të gjitha aspektet e bashkëpunimit rajonal.

Por, ndërkohë jam i bindur se potenciali i plotë i zhvillimit të mësimit të frëngjishtes në Kosovë mbetet ende i pashfrytëzuar.

Prandaj, në pritje të samitit të ardhshëm të vitit 2026, kur Kosova synon të aplikojë sërish për marrjen e statusit të anëtarit me të drejta të plota, Qeveria jonë dhe komunat e Kosovës duhet të fillojnë të punojnë së bashku për të gjetur një mënyrë për të adresuar rënien e orëve të mësimit të gjuhës frënge në mbarë vendin. Ky duhet të jetë hapi i parë duke e ditur që mund të llogarisim në përkrahjen e Institutit francez të Kosovës të porsaformuar në Prishtinë, për të identifikuar së bashku mënyrat më praktike dhe efektive të suksesit.

Për më tepër, mendoj se mekanizmi përcjellës i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë mbi “Gjuhën frënge në diversitet”, i krijuar në Samitin e Djerba-s në vitin 2022, do të ishte shumë i dobishëm për të përgatitur më mirë Kosovën për samitin e ardhshëm. Në këtë drejtim, i jam mirënjohës shteteve anëtare të organizatës, të cilat muajin e kaluar ritheksuan mbështetjen e tyre për Kosovën në vazhdimin e këtij rrugëtimi dhe në përpjekjet tona drejt anëtarësimit të plotë.

Siç thashë edhe më herët, potenciali i plotë i të mësuarit të gjuhës frënge nuk është shfrytëzuar ende si duhet në të gjitha dimensionet e saj. Unë vetë jam i pakënaqur që kam lexuar kaq shumë autorë, filozofë, shkrimtarë dhe sociologë francezë, por asnjëherë drejtpërdrejt në frëngjisht. Dhe e di që me z. Glauk Konjufcën ndajmë të njëjtën ndjenjë e përshtypje sa i përket letërsisë dhe kinemasë franceze, edhe pse ky zhgënjim i yni kompensohet deri diku nga kënaqësia që vjen kur shohim sa shumë është përkthyer letërsia franceze në shqip si dhe nga marrëveshja e arritur për bashkëprodhim ndërmjet qendrës kinematografike përkatëse të Kosovës dhe të Francës.

Pavarësisht kësaj, përtej fushës së kulturës ka shumë më tepër nevojë për njohjen e gjuhës frënge. Për shembull, bashkëpunimi dypalësh që e kemi me Zvicrën, Luksemburgun dhe Belgjikën ofrojnë horizonte të reja për ata që punojnë ose përfitojnë nga agjencitë dhe projektet e tyre përkatëse. Prania në rritje e Agjencisë Franceze të Zhvillimit, AFD, dhe një sërë kompanish private ka rritur rëndësinë e botës frankofone në vendin tonë përgjatë viteve të fundit.

Personalisht, vetëm këtë verë, gjatë Lojërave Olimpike në Paris, isha dëshmitar i fuqisë dhe ndikimit të gjuhës frënge dhe vlerave universale të saj. Dhe muajin e kaluar, përsëri në Paris me rastin e forumit të parë ekonomik mes Kosovës dhe Francës, m'u kujtua potenciali i madh për investime dhe lidhje tregtare ndërmjet dy vendeve tona. Në këtë aspekt diaspora jonë frëngjishtfolëse në Belgjikë, Francë, Luksemburg dhe Zvicër është një aset që ne e kemi përfshirë edhe në vizionin e qeverisë për zhvillimin e vendit tonë.

Në fakt, titulli i Samitit të Organizatës ndërkombëtare të frankofonisë të muajit tetor të vitit 2024, përmbledh potencialin ambicioz të botës frankofone, pjesë e së cilës do të doja që të ishte edhe Kosova: “Të krijojë, të sjellë risi dhe të ndërmarrësh në frëngjisht”. Dhe, siç më njoftuan, Panairi FrankoTech i organizuar gjatë Samitit dha një pasqyrë të gjerë se çfarë mund të arrihet duke ndarë të njëjtën frymë bashkëpunimi dhe të njëjtën gjuhë, pavarësisht diversitetit tonë e duke ju gëzuar atij.

Prandaj, të nderuar të ftuar të Asamblesë Parlamentare Frankofone, tashmë ju e keni kuptuar se ambicia e Kosovës për t'iu bashkuar plotësisht Organizatës Ndërkombëtare Frankofone shkon përtej perspektivës së vetme dhe unike të mësimit të frëngjishtes në vetvete. Krahas mjetit të jashtëzakonshëm të emancipimit dhe qasjes që ofron gjuha franceze, këtë të fundit e shoh si një faktor që përshpejton bashkëpunimin ndërmjet vendeve, sipërmarrësve dhe zhvillimin e Kosovës.

Nga ky këndvështrim, temën e diskutimeve tuaja të ditës e shoh shumë të përshtatshme dhe të dobishme. Në luftën aktuale hibride e globale në të cilën po jetojmë, nuk mund të ketë demokraci të mirëfilltë, prosperitet për të gjithë dhe bashkëpunim të duhur, pa trajtuar në mënyrë efektive manipulimin e informacionit dhe sulmet kibernetike. Dhe këtu do të mësoni se nuk bën përjashtim as Kosova si cak i sulmeve të tilla.

Në përfundim, gjuha frënge është ajo që e bëri të njohur në mbarë botën shkrimtarin tonë të madh, të ndjerin Ismail Kadare, i cili iku nga kjo botë më 1 korrik sivjet. Frëngjishtja është gjithashtu gjuha që foli presidenti i ndjerë dhe lideri i ish-lëvizjes pacifiste, Ibrahim Rugova, kur gjatë viteve të ’90-ta gjeti mbështetje të madhe në mesin e intelektualëve francezë. Ai ishte student i Roland Barthes, që sigurisht e admironte profesorin e tij.

Por gjuha frënge do të thotë kaq shumë gjëra, dhe për ta mbyllur këtë adresim do të përpiqem të lexoj në frëngjisht fjalët e burrështetasit, poetit dhe nismëtarit të krijimit të Asamblesë Parlamentare Frankofone, Leopold Sédar Senghor:

Le français, ce sont les grandes orgues, qui se prêtent à tous les timbres, à tous les effets, des douceurs les plus suaves aux fulgurances de l’orage.

(Përkthimi në shqip: Frëngjishtja është sikur organot e mëdha (instrumente muzikore) të cilat përshtaten me të gjitha tonalitetet, të gjitha efektet, që nga butësia më e ëmbël e deri te rrufet e stuhisë).

Duke ju kërkuar falje për shqiptimin tim, ju uroj të gjithëve një qëndrim të mbarë në Kosovë dhe diskutime të frytshme. Dhe ju falemnderit sinqerisht për mbështetjen tuaj. /Zëri